GAZETA E LONDRES – 300 DUVAKËT E LURËS
Nga prof. Ethem Ruka
Vdekja e Skënderbeut dhe rënia e Krujës u dhanë zemër forcave osmane të hakmerreshin kudo në trojet arbërore. Në krahina të veçanta, siç ishte edhe Lura, urrejtja e pushtuesve ishte kthyer pothuajse në një obsesion. Kishte shumë arsye pse Lura dhe lurianët konsideroheshin një halë në sy për forcat osmane.
Për shkak të terrenit malor dhe organizimit fisnor, Lura nuk kontrollohej lehtë nga pushteti osman dhe ruante një pavarësi të dukshme në jetën e saj të brendshme. Lurianët i kishin qëndruar besnikë heroit të tyre, Skënderbeut, dhe kjo përbënte një arsye tjetër pse kjo trevë shihej si e rrezikshme për pushtuesit.
Jo vetëm kaq, por lurianët njiheshin si mjeshtra të farkëtimit të shpatave dhe të përdorimit të armëve me barut. Një shprehje e vjetër e atyre anëve thoshte se baruti prodhohej në Mat, por digjej në armët e dibranëve.
Një pasha mizor, si Sulejman Pasha, vendosi jo vetëm ta pushtonte, por më parë ta poshtëronte Lurën me një kërkesë të tmerrshme. Ai urdhëroi që 300 kulla luriane të dorëzonin nga një vashë, të cilat gjoja do të martoheshin me oficerët dhe ushtarët osmanë. Ky ishte vetëm një kurth dhe oficerët e ushtarët osmanë do të bënin çfarë të donin me to.
Nëse ky urdhër nuk do të zbatohej, pashai kishte kërcënuar se 300 kullat do të ktheheshin në hi, pasuritë do të grabiteshin, ndërsa burrat dhe gratë do të vriteshin ose do të merreshin si robër. Ai besonte se kishte ardhur koha të nxirrte gjithë vrerin e urrejtjes ndaj një treve që e kishte mbajtur gjithmonë kokën lart dhe kishte sfiduar vazhdimisht autoritetin osman.
Kërkesa e pashait mbërriti në Lurë dhe tronditi çdo vatër. Kurrë më parë nuk ishte dëgjuar për një kërkesë të tillë, një kërkesë kaq poshtëruese dhe e egër. Nderi, për lurianët, ashtu si për gjithë arbërorët, ishte gjëja më e shenjtë, madje më e shenjtë se vetë jeta.
Fjala u përhap si rrufe, nga kulla në kullë e nga fshati në fshat, dhe kudo përgjigjja ishte e prerë dhe e njëjtë: jetën jemi gati ta japim, por nderin nuk do ta dorëzojmë kurrë.
E gjithë krahina u mbush me zemërim. Të gjithë, burrat e gratë, djemtë e vajzat, madje edhe foshnjet në djep, sikur u bënë një dhe shtrënguan grushtat e dhëmbët. Në çdo vatër u përsërit e njëjta fjalë: vdekja për njeriun është e pashmangshme, por vdekja për të ruajtur nderin është edhe më e shenjtë. Lura nuk është thjesht një copë tokë, por një tokë nderi, që duhet mbrojtur me çdo mjet e me çdo kusht.
U mblodh menjëherë kuvendi i burrave. Të gjithë kuvendarët, burra të moçëm e me mënçuri të rrallë, peshuan gjithçka dhe menduan që këtë situatë nuk duhet të përballonin vetëm por të kërkonin edhe ndihmën e trimave të Çidhnës, një krahinë tjetër dibrane që ndodhet jo larg Lurës. Nuk ishte hera e parë që këto dy krahina ishin përballuar së bashku me situara të vështira.
Nga kuvendi i burrave të Lurës u zgjodh Llesh Doçi për të biseduar me trimat e Çidhnës. Koha nuk priste dhe duhej gjetur sa më shpejt një zgjidhje për t’u përballur me pashain e pashpirt. Pasi çështja u pleqërua mirë e mirë, u gjet edhe rrugëdalja, një zgjidhje që të befason dhe të bën të mendosh se si ka mundësi të ketë patur burra me një mençuri kaq të rrallë.
Në të vërtetë, ishte një kurth i jashtëzakonshëm për pashain famëkeq. Trimat e Lurës dhe të Çidhnës vendosën të gjenin 300 djem, të cilët do t’i vishnin si nuse, me duvakë mbi kokë. Për çdo “nuse” do të kishte edhe dy djem shoqërues. Kështu, numri i tyre arrinte në rreth 900 burra, të armatosur me jataganë të fshehur nën rrobat e tyre.
Kuvendi ngarkoi Llesh Doçin për t’i kthyer përgjigje pashait. Dhe ja përgjigjja e tij e gëzoi pa masë pashain osman, i cili mendoi se më në fund i kishte nënshtruar dhe poshtëruar lurianët.
Aq e mençur ishte kjo përgjigje, sa Lleshi i dërgoi fjalë pashait duke e pyetur nëse dëshironte 300 vajza, apo vajza e gra së bashku, nëse i donte nga Lura e Epërme apo nga rrëza e saj, dhe nëse i donte të stolisura me gjerdanë floriri në qafë apo me stoli të tjera.
Por edhe lurianët kishin një kërkesë të vetën, që çdo “nuse” me duvak të shoqërohej nga dy djem. Pashai e pranoi këtë kusht dhe u caktua dita kur karvani me “nuset” do të mbërrinte në garnizonin e tij.
Dhe dita e “dasmës” së madhe erdhi. Treqind kuaj të stolisur dhe gjashtëqind krushq u nisën në rrugë.
Rruga zgjati disa orë dhe, gjatë ndalesave, Llesh Doçi i porosiste trimat që deri në çastin kur ai do të jepte shenjën, të qëndronin të qetë, të përmbajtur, sikur të ishin të zënë në faj. Kur të jepej sinjali, ata duhej të shndërroheshin në shqiponja, të nxirrnin “kthetrat”, të kapnin oficerë e ushtarë dhe të mos kursenin askënd. Vetëm kështu nderi i Lurës do të vihej në vend.
Rruga që të çonte te garnizoni zbriste përgjatë një monopati, prej nga ai dukej si në pëllëmbë të dorës. “Krushqit” u habitën kur panë se ushtarët dhe oficerët ishin rreshtuar si në një ceremoni solemne. Përballë tyre qëndronte, si triumfator, pashai, i rrethuar nga shërbëtorët e tij.
Llesh Doçi qëndronte në ballë të dasmorëve. Ai ishte një burrë shtatlartë, me mustaqe të zeza që i zgjateshin deri te faqet, me një hundë të harkuar si sqepi i shqiponjës dhe me një shikim të rreptë, të mprehtë si ai i një fajkoi.
I nderuar pasha, – tha Lleshi. Ju bëtë një kërkesë ndaj nesh që nuk ishte e lehtë, megjithatë ne e përmbushëm atë. Përpara syve tuaj keni 300 vajza, njëra më e bukur se tjetra. Ato janë tuajat dhe ne urojmë të trashëgohen me ata që do t’i marrin për gra.
E sheh, Llesh, se krenaria juaj ka një pikë ku mund të thyhet, – tha pashai me cinizëm dhe ngriti dorën sikur të jepte një urdhër. Por nuk arriti. Lleshi nxori alltinë dhe e shkrepi gjashtë herë radhazi. Pashai u rrëzua dhe gjaku nisi të rridhte si lumë.
Në atë çast, djemtë nxorën jataganët dhe u hodhën mbi osmanët. Oficerët dhe ushtarët u zunë në befasi. Askush nuk e kishte pritur një sulm të tillë. Për pak çaste, sheshi i garnizonit u mbush me të vrarë dhe britma lufte. Vetëm pak ushtarë arritën të shpëtonin, duke ikur të tmerruar.
Trimat e Lurës dhe të Çidhnës korrën një fitore që nuk ishte parë më parë. U hipën kuajve dhe u kthyen në vendin e tyre si fitimtarë. Nuk kishte ditë më të bukur për Lurën dhe Çidhnën motër. Nderi ishte vënë në vend.
Por lurianët nuk u mjaftuan me kaq. Ata i dërguan një letër edhe Sulltanit, në të cilën, sipas rapsodit, thuhej:
Mos t’vijë keq Sulltan Mehmet…
Trim kish kanë ky Selim Pasha,
S’donte gra, por donte vasha.
Dhe rapsodi shkroi vargje të tjera edhe më mahnitëse që mbritën deri në ditët tona:
Lurë e Dibër, besa – besë,
Trim ma i pari kush të vdesë.
Trim ma i pari n’fushë t’mejdanit
Kjo qe fjala e Llesh Dibranit,
“që t’i dalim zot vatanit”.





