GAZETA E LONDRES – Gjukata Kushtetuese Rrëzoj Dekretin e Presidentit për Zgjedhjet në Tiranë
Gjykata Kushtetuese ka pezulluar përkohësisht dekretin e Presidentit të Republikës, Bajram Begaj, që shpallte zhvillimin e zgjedhjeve të pjesshme për Bashkinë e Tiranës më 9 nëntor 2025.
Vendimi erdhi pasi Kushtetuesja u vu në lëvizje nga kryebashkiaku në detyrë Erion Veliaj, i cili ankimoi vendimin e shkarkimit të tij.
“Gjykata Kushtetuese vendosi unanimisht të kalojë çështjen me kërkues Erion Veliaj në seancë plenare publike në datë 31 tetor 2025 dhe të pezullojë Dekretin e Presidentit për pjesën që cakton datën e zgjedhjeve në Bashkinë Tiranë”, sqarohet në njoftimin e Kushtetueses.
Ndërsa zgjedhjet do të zhvillohen në 5 bashki të tjera, si ajo e Matit, Vlorës, Tepelenës, Beratit dhe Cërrikut, në Tiranë vendimi i sotëm i gjykatës nuk lejon që zgjedhjet të zhvillohen me datën 9 Nëntorë.
Njoftimi i Gjykatës Kushtetuese:
“Shfuqizimi i vendimit të Këshillit të Ministrave nr. 539, datë 25.09.2025 “Për shkarkimin nga detyra të kryetarit të Bashkisë Tiranë, z. Erion Veliaj”, si i papajtueshëm me Kushtetutën. Shfuqizimi i dekretit të Presidentit të Republikës nr. 350, datë 01.10.2025 “Për caktimin e datës së zgjedhjeve të pjesshme vendore për kryetar bashkie, për disa njësi të qeverisjes vendore” për pjesën që cakton datën e zgjedhjeve vendore në Bashkinë Tiranë, si të papajtueshëm me nenin 115, pika 2 dhe 3 të Kushtetutës. Pezullimi i efekteve juridike të dekretit të Presidentit të Republikës nr. 350, datë 01.10.2025 “Për caktimin e datës së zgjedhjeve të pjesshme vendore për kryetar bashkie, për disa njësi të qeverisjes vendore” për pjesën që cakton datën e zgjedhjeve vendore në Bashkinë Tiranë në zbatim të efekteve pezulluese që paragrafi 2 dhe 3 i nenit 115 i Kushtetutës parashikon, deri në marrjen e vendimit nga Gjykata Kushtetuese”, bazuar në nenin 45 të ligjit nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar dhe nenit 27 të Rregullores për Procedurat Gjyqësore të Gjykatës,
VENDOSI Pezullimin e dekretit të Presidentit të Republikës së Shqipërisë nr. 350, datë 01.10.2025 “Për caktimin e datës së zgjedhjeve të pjesshme vendore për kryetar bashkie, për disa njësi të qeverisjes vendore” për pjesën që cakton datën e zgjedhjeve vendore në Bashkinë Tiranë.
Po si është pritur ky vendim nga partitë polike?
Luciano Boçi PD:
Vendimi i dhënë sot nga Gjykata Kushtetuese për pezullimin e garës zgjedhore për Tiranën në 9 nëntor, për demokratin Luçiano Boçi, nuk afekton në zgjedhjen e kandidatit të ri, por se mbështetja e opozitës do të vijojë të jetë për Florjan Binajn.
Në emisionin “Top Story” në Top Channel, ai u shpreh se sipas parashikimeve të tij, marrë në konsideratë dhe eksperiencën, pas këtij pezullimi, data 9 nëntor është thuajse e pamundur që të shkohet në zgjedhje të parakohshme për Tiranën, por se me shumë gjasë data e re do të jetë 30 ditë pas 31 tetorit, kur Kushtetuesja të marrë vendimin për këtë çështje të ankimuar nga Erion Veliaj.
“Duhet të presim atë që do parashtrojë Kushtetuesja në 31 tetor dhe do qartësohet gjithçka për pasjen e një date. Nga përvoja ime, data 9 nëntor për Tiranën duket e pamundur. Pezullimi i datës do të thotë dhe pezullimi i datës së fushatës zgjedhore. Marrja e një vendimi në 31 tetor, dikton që pas kësaj datë duhet të ketë një periudhë të re shtyrje prej 30 ditësh për fushatën për datën e re. Kreu i PD tha se nuk e afekton kjo kandidatin që mbështet opozita, Florjan Binaj. Më mirë që kemi më tepër kohë për fushatë”, tha Boçi.
I pyetur nga Grida Duma se përse PD duartrokiti vendimin e Kushtetueses, vendime të së cilët më parë i ka “vënë në pikëpyetje”, Boçi sqaroi: PD nuk ka duartrokitur për shtyrjen e zgjedhjeve, por për tendencën e Kushtetuese për të vendosur ligjin para tendencave politike, apo shtyrjeve ose ndikimit politik. Mesazhi i shpërndarë në grupin e PS, tregon se kanë njohuri për vendimin.
Toni Gogu PS:
Vendimi i dhënë sot nga Gjykata Kushtetuese për pezullimin e garës zgjedhore për Tiranën në 9 nëntor, sipas Toni Gogut, Ministër Shteti për Marrëdhëniet me Parlamentin, nuk ndryshon asgjë, pasi PS është në komunikim të vazhdueshlm me qytetarët.
Në emisionin “Top Story” në Top Channel, ai u shpreh se PS respekton ligjin.
“Ai ishte një vendim që e marrin organet që bëjnë zgjedhjet. PS është garuese në zgjedhje dhe nuk organizon zgjedhje. Dekretin e presidentit, presidenti cakton datën dhe Gjykata shqyrton më pas. Si përfaqësues i PS, gjëja e parë është që respektojmë ligjin, gjë që e kemi bërë që dinë e parë, nuk komentojmë vendimin e gjykatave, e sidomos asaj të Gjykatës Kushtetuese.
Kjo gjë do të ketë një vendim themeli ku Gjykata Kushtetuese do ta shqyrtojë më vonë. Shtabin e PS nuk ndryshon asgjë. Jemi në komunikim të vazhdueshëm me qytetarët e Tiranës. Patjetër që do të ketë një ditë zgjedhjesh, por kjo nuk e pengon PS që ka nisur një diskutim intensiv me qytetarët e Tiranës. Si do të vazhdojmë të ofrojmë shërbime publike, e hapësirat publike, modernizmi jetës së qytetarëve.
Ne si PS jemi të përgatitur, nga njëra anë të respektojmë ligjin dhe nga ana tjetër ti përgjigjemi qytetarit 24/24. Për shtabin elektoral tonin nuk ndryshon asgjë, për të vazhduar që Tirana jonë të ketë pulsin e jetës”, tha Toni Gogu.





