GAZETA E LONDRES – SPAK reagon për thirrjen e Berishës
Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka reaguar zyrtarisht lidhur me procedurën e njoftimit të ish-kryeministrit Sali Berisha për t’u paraqitur para hetuesve në kuadër të shqyrtimit të çeshtjes së 21 janarit. Në një komunikim të detajuar, institucioni sqaron hapat që janë ndjekur deri më tani për dorëzimin e urdhër-thirrjes, si dhe pengesat e konstatuara gjatë përpjekjeve për të bërë njoftimin sipas kërkesave ligjore.
SPAK bën të ditur se janë realizuar disa tentativa për dorëzimin fizik të njoftimit në adresën e banesës, selinë e Partisë Demokratike dhe Kuvendin e Shqipërisë, ndërkohë që është përdorur edhe adresa zyrtare e emailit e deputetit Berisha. Sipas Prokurorisë së Posaçme, disa nga këto njoftime janë kthyer mbrapsht ose janë refuzuar nga personat përgjegjës në institucionet përkatëse, çka ka bërë që procedura e njoftimit të përsëritet në disa destinacione.
Në vijim SPAK konfirmon se do të vazhdojë të zbatojë të gjitha detyrimet ligjore për njoftimin dhe paraqitjen e personit të thirrur, në përputhje me afatet dhe procedurat e përcaktuara në legjislacionin në fuqi.
Reagimi i Spak
Në përgjigje të kërkesës suaj, ju informojmë si vijon: Deri tani janë dërguar dy urdhër-thirrje përmes shërbimit të postës shqiptare, më datë 3.11.2025 në adresën e banesës (për t’u paraqitur në SPAK në datë 7.11.2025) dhe në datën 7.11.2025, në adresën e banesës, Partisë Demokratike dhe Kuvendit (për t’u paraqitur në datën 14.11.2025).
Urdhër-thirrja e parë, e dërguar në banesë më datë 3.11.2025, është kthyer mbrapsht në Prokurorinë e Posaçme, me shënimin:
“Rojet janë autorizuar të mos marrin asnjë zarf.”
Pas këtij konstatimi, Prokuroria e Posaçme ka vijuar me dërgimin e urdhër-thirrjes në tre destinacionet (Banesë, Partia Demokratike dhe Kuvend) më datë 07.11.2025.
Më datë 09.11.2025, është refuzuar marrja e zarfit të dërguar në banesë, ndërsa më 12.11.2025 Shërbimi i Burimeve Njerëzore dhe Trajtimit të Deputetëve në Kuvendin e Shqipërisë ka njoftuar se marrja në dorëzim e njoftimit është refuzuar nga stafi politik i grupit parlamentar të Partisë Demokratike.
Përmes shkresës është sqaruar gjithashtu se njoftimi për urdhër-thirrjen është dërguar edhe në adresën zyrtare të emailit:
[email protected], më datë 10.11.2025.
Prokuroria e Posaçme do të vijojë zbatimin e parashikimeve ligjore për njoftimin dhe paraqitjen e personit të thirrur, sipas afateve dhe detyrimeve të parashikuara në legjislacionin në fuqi.





