GAZETA E LONDRES – Aleksandër Çipa Nderohet me Medaljen e Artë “Aleksandri i Madh”
Gazetari dhe poeti i njohur Aleksandër Çipa është nderuar me titullin e lartë duke fituar çmimin e Artë “Aleksandri i Madh” në aktivitetin e organizuar në Greqi me shkrimtarë, poetë dhe figura të njohura nga disa vende të Europës.
Veprimtaria e përvitshme e organizatës ndërkombëtare ” Klubi i Ideve” që ka për drejtues shkrimtarin, poetin, kritikun dhe studiuesin e njohur Dinos S. Kubatis u zhvillua më 10 Nëntor 2024 në ishullin e njohur të Salaminës, në periferi të Athinës, me pjesmarrjen e shumë shkrimtarëve, poetëve dhe figura të njohura nga disa vende të Europës.
“Klubi i Ideve” është një forum ndërkombëtar i krijuar së pari nga personalitete dhe intelektualë me reputacion në prefekturën e Athinës e më gjërë. Në fundjavën që lamë pas, në sallën kryesore të Bashkisë së Salaminës, u mbajt edicioni i 41-të i këtij forumi për ndarjen e medaljeve të arta “Aleksandri I Madh” të cilat lauruan emra të njohur nga disa vende europiane dhe ballkanike ku spikatën Polonia, Franca, Greqia, Shqipëria, Kosova etj.
“Klubi i ideve” zhvillon veprimtari dhe kontribuon për zhvillimin e artit shpirtëror dhe artit në përgjithësi.
Në çertifikatën e medaljes së Artë “Aleksandri i Madh”, akorduar gazetarit shumë të njohur shqiptar Aleksandër Çipa, të firmosur nga zoti Dinos Kubatis, theksohet motivi: “…për shërbim shoqëror nëpërmjet fushës ku z. Aleksandër Çipa, shërben me nder dhe profesionalizëm në lartësinë e duhur”.
Duke marrë medaljen në këtë edicion Çipa falenderoi jurinë për vlerësimin dhe theksoi në gjuhën e vendasve se : “Botën nuk e rregullon letërsia, por ajo e bën më të mirë, sidomos fqinjësinë” .
Nga hapësira shqiptare në edicionin e 41-të të ndarjes së medalies së artë, u vlerësuan poeti Flamur Shala, Profesori Mehmet Prishtina, bibliotekarja Jorida Dhëmbi.
Shkrimtarja Entela Kasi, presidente e PEN-Club Albania, vlerësoi me këtë rast zotin Kubatis me një medalje mirënjohjeje.
Në edicione të mëhershme me këtë medalje në vite janë vlerësuar personalitete të larta të letërsisë dhe kulturës shqiptare si Ali Podrimja, Fatos Arapi, Ilirian Zhupa, Alketa Gashi Fazlliu, Migena Arllati,, Bardhyl Maliqi etj., etj.





