KMA NEWS / Arabia Saudite konfirmon vdekjen e gazetarit: U vra pas një grindje fizike brenda në konsullatë
Arabia Saudite konfirmoi vdekjen e gazetarit saudit dhe komentatorit të gazetës Washington Post Jamal Khashoggi, duke thënë se vdekja e tij erdhi pas një grindjeje fizike brenda konsullatës saudite në Stamboll.
Në buletinin e lajmeve, TV shtetëror saudit njoftoi se është ngritur një komision që do të hetojë vdekjen e Khashoggit dhe se komisioni ka një muaj afat për të lëshuar një raport. Komisioni do të përbëhet nga zyrtarë të sigurisë kombëtare, ministrisë së jashtme dhe asaj të brendshme.
Bisedat midis Khashoggit dhe atyre që e pritën kur ai arriti në konsullatën saudite në Stamboll u bënë shkak për një grindje fizike, gjë që çoi edhe në vdekjen e tij, sipas TV shtetëror.
Agjencia Saudite e Shtypit tha se 18 shtetas sauditë janë arrestuar lidhur me hetimin për këtë çështje.
Është lëshuar gjithashtu një urdhër mbretëror për të shkarkuar gjeneralin Ahmed al-Assiri nga detyra si zëvendës i shërbimeve të zbulimit, sipas njoftimit.
Zyrtarët turq kanë thënë në mënyrë anonime se Khashoggi u vra brenda konsullatës nga një ekip saudit prej 15 vetash.
Presidenti Trump tha të premten në mbrëmje se arrestimet ishin një “hap i madh i parë”, por ai shtoi se donte të fliste më tej me sauditët lidhur me hetimin.
Presidenti tha se në qoftë se imponohen sanksione mbi Sauditët për vrasjen, ai do të preferonte që ato të mos përfshinin shitjen e armëve, njofton zëri i amerikës.
Gazetari Saudit i Uashington Post u pa për herë të fundit në publik kur ai hyri në konsullatën saudite në Stamboll në Turqi më 2 tetor 2018. Më parë, autoritetet saudite kishin deklaruar se Khashoggi ishte larguar nga konsullata në të njëjtën dite që kishte hyrë në ndërtesë.
Autoritetet Turke kanë kërkuar që konsullata Saudite të japë fakte se gazetari i njohur ka dalë nga ndërtesa ndërkohë që presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, tha se sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo, do të udhëtojë për në Arabinë Saudite për çështjen e gazetarit të zhdukur, Jamal Khashoggi.





