GAZETA E LONDRES – Arrestime në Londër për dyshime spiunazhi në shërbim të Rusisë
Policia Metropolitane në Londër ka bërë të ditur se tre persona janë arrestuar nën dyshimin se kanë spiunuar në shërbim të Rusisë.
Një burrë 41-vjeçar dhe një grua 35-vjeçare u arrestuan në një banesë në Grays, Essex, ndërsa një burrë tjetër 46-vjeçar u arrestua në një adresë tjetër në të njëjtën zonë.
Të tre u ndaluan për dyshimin e ndihmës ndaj një shërbimi të inteligjencës së huaj, në kundërshtim me Seksionin 3 të Ligjit për Sigurinë Kombëtare 2023, dhe u dërguan në një stacion policor në Londër.
Policia konfirmoi se vendi i përfshirë në këtë hetim është Rusia. Pas kontrollit të dy adresave në Essex, të tre personat u liruan me kusht, ndërsa hetimet vijojnë.
Komandanti Dominic Murphy, shefi i Njësisë Kundër Terrorizmit të Met, deklaroi se në Mbretërinë e Bashkuar po vërehet një rritje e rasteve të rekrutimit nga shërbimet e inteligjencës së huaja.
Vitën e kaluar, kreu i MI5, Sir Ken McCallum, paralajmëroi se “aktorët shtetërorë rusë” po përdorin ndërmjetës për punët e tyre të pista, përfshirë operativë privatë të inteligjencës dhe kriminelë nga Britania dhe vende të treta.
Ai shtoi se agjencia ushtarake ruse GRU është në një mision të vazhdueshëm për të shkaktuar kaos në rrugët britanike dhe evropiane, duke përfshirë zjarrvënie dhe akte sabotazhi.
Një grup burrash në Londër është në pritje të shpalljes së dënimit pas një sulmi me zjarrvënie ndaj një magazine të lidhur me Ukrainën, të cilin e kryen pasi u rekrutuan nga grupi mercenar rus Wagner. Arrestimet e së mërkurës nuk lidhen me këtë rast.
Grupi Wagner është një organizatë private ushtarake që vepron në interes të shtetit rus. Qeveria britanike e shpalli atë organizatë terroriste në shtator 2023.





