KMA NEWS / Arrestohet i shumë kërkuari Admir Çerpja. Ai ishte shpallur në kërkim nga policia si një nga krerët e grupit të dy grabitjeve te ndodhura në rrugën e Rinasit.
Mësohet se Çerpja është arrestuar në zonën e Dibrës ku po kërkohej bashkë me kreun e grupit, Admir Muratajn dhe në këto momente ai po transportohet drejt Tiranës.
Admir (Jetmir) Çerpja ka jetuar për disa vite në Greqi ku dyshohet se është njohur me Ilir Kupën, shqiptarin e arratisur nga burgjet helene me grupin e Marjan Kolës.
Dibrani ka jetuar për shumë vite në Kamëz ku është njohur me tropojanin Admir Murataj. Çerpja ka pasur njohje me komandon Neim Avdulaj, me të cilin ka rënë në kontakt me anë të një kushëririt te tij që punonte në ushtri, bashkë me të riun nga Vlora.
Më herët janë arrestuar Fatjon Xhyliu, Ditjon Memlika, Neim Avdyli, Ernest Kupa, djali i xhaxhait të Ilir Kupës.
Detajet e operacionit:
Policia e Shtetit jep informacion rreth operacionit të mbrëmshëm për kapjen pjesëtarit tjetër të grupit që grabiste paratë e bankave në aksin Tiranë-Rinas.
Policia thotë se arrestimin e Admir Çerpjas e ka bërë teksa i shumëkërkuari po shkonte drejt një dyqani për të blerë ushqim. Më poshtë njoftimi i plotë:
Pas një operacioni disa ditor në qarkun Dibër ku u përfshinë forcat policore të Drejtorisë Vendore të Policisë Dibër, Renea, Forca e Posaçme Operacionale dhe FNSH, u bë e mundur kapja e të shumëkërkuarit Admir Çerpja, një nga organizatorët e grabitjeve në aksin rrugor Qaf Kashar -Rinas.
Kapet në orët e mbrëmjes Admir (Gjuljano) Çerpja, 35 vjeç, banues në Bathore Tiranë.
Në vijim të operacionit “Patriot” që po vijon nga strukturat e Policisë së Shtetit, për kapjen e të gjithë personave, organizatorë, pjestarë të grupit apo të përfshirë në grabitjet me armë të vlerave monetare në rrugën e Rinasit, si rezultat i trysnisë policore të ushtruar në disa zona të rrethit Dibër për kapjen e Admir Çerpja, rezultoi se:
Rreth orës 21.00, në fshatin Zalldardhë të Dibrës forcat policore kanë bërë të mundur kapjen dhe arrestimin e Admir Çerpja.
Ky shtetas po afrohej për tu futur në fshatin Zalldardhë në orët e mbrëmjes për të blerë ushqim.
Në vijim të kontrolleve të shumta dhe menaxhimit të informacionit të grumbulluar në mënyrë të pandërprerë në lidhje me vendodhjen e këtij personi, u bë e mundur ndërhyrja në kohë duke prangosur shtetasin e lartpërmendur.
Shtetasi Admir Çerpja është shoqëruar në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë për veprimë të mëtejshme.
Policia e Shtetit vazhdon kërkimin me grupe të shumta në zona të tjera veriore për kapjen dhe vënien përpara përgjegjsisë ligjore të autorëve të tjerë të shpallur në kërkim.





