GAZETA E LONDRES – Video: Arrestohet tek mbikalimi i Kamzës Ilir Meta, ish presidenti i Shqipërisë
Arrestohet ish presidenti njëkohësisht kreu i Partisë së Lirisë Ilir Meta. Arrestimi i tij është bërë me urdhër të SPAK, në kuadër të hetimeve për çështjen e pasurisë etj.
Meta është arrestuar kur lëvizte me makinë te Kthesa e Kamzës, teksa po shkonte për në selinë e Partisë së Lirisë.
Pak orë para se të vihej në pranga, Meta kishte njoftuar përmes një postimi në rrjetet sociale, një konferencë për mediat që do të mbahej në orën 13:40 nga selia.
“Të dashur miq, ju ftoj të gjithëve, sipas mundësive të më ndiqni live në ora 13:40 në një konferencë për mediat”, shkruante Meta në një postim në Instastory.
Sakaq, zyra e shtypit të Partisë së Lirisë, njoftonte: “Përshëndetje! Në ora 13:40, Presidenti i Partisë së Lirisë, Z. Ilir Meta do të ketë një konferencë për shtyp. Ftohen të gjithë gazetarët të marrin pjesë. Sinjali nga Fibra, Facebook dhe YouTube. Lutemi mediave, për transmetimin live”.
Ju bëjmë me dije se Meta ka qenë disa herë në SPAK ku është pyetur për llogari të një hetimi në lidhje me një pagesë të bërë për lobim në Shtetet e Bashkuara. Po ashtu, Prokuroria e Posaçme ka nisur prej kohësh një hetim pasuror ndaj tij dhe ish-bashkëshortes Monika Kryemadhi.
Prokuroria e Posaçme ka të regjistruar më herët të paktën 3 procedime penale që kanë bazë kallëzime të bëra nga qytetarë, por edhe persona të tjerë që lidhen me ish-presidentin Ilir Meta, por edhe Kryemadhin.
Kallëzime të cilat janë përkthyer në procedime të regjistruara për çështje të korrupsionit, pastrimit të parave dhe mosdeklarimit të pasurisë.
Ndërkohë, po sot, SPAK ka caktuar ndaj Monika Kryemadhit masëne e detyrim paraqitjes.
Ish bashkëshortja e Metës deputetja Monika Kryemadhi ishte në Qershor para hetuesve të SPAK ku ka dhënë shpjegime mbi një hetim të SPAK në lidhje me një pagesë për lobim në SHBA, disa pagesa për ndërhyrje kirurgjikale dhe verifikimin pasuror.
Për të njëjtën dosje është pyetur edhe nëna e deputetes, teksa janë ushtruar kontrolle edhe në banesën e saj.
Kujtojmë se rreth një javë pas paraqitjes së saj në SPAK, Meta njoftoi divorcin me deputeten.
Përvec Ilir Metes qe eshte prangosur sot dhe Monika Kryemadhit qe i eshte caktuar “Detyrin paraqitje”, janë edhe dy zyrtare te tjere te LSI që kane marre masa sigurie. SPAK ka dhënë masën e arrestit me burg për ish-drejtorin e LSI-së Pirro Xhixhon dhe detyrim paraqitje per Ema Çokun, e akuzuar si një nga financueset e LSI-së.Kujtojme se nje nga postet e Xhixhos ka qene edhe drejtor i AKEP. Xhixho eshte babai i deputetes Erisa Xhixho.





