SHQIPTARI NEWS – Lulzim Basha ka marrë një hap tjetër të rëndësishëm kundër spastrimit të PD-së zyrtare nga mbështetësit e Sali Berishës duke i larguar edhe nga KQZ.
Pas dështimit në 8 Janar, kur nuk arriti të marrë selinë blu, lëvizja e Berishës për të marrë Partinë Demokratike pëson një goditje tjetër që vë në vështirësi përfaqësimin e saj në zgjedhje. Gjatë mbledhjes së KQZ ku diskutohej për procesin e votimit në 6 Mars për 6 bashki, kreu i këtij institucioni nuk pranoi përfaqësimin e Partisë Demokratike nga Ivi Kaso, një prej anëtarëve të Komisionit të Rithemelimit.
Celibashi tha se komunikimi do të vazhdojë vetëm me PD zyrtare.
Kaso kundërshtoi përfaqësinë e PD-së në komision pasi sipas tij Lulzim Basha nuk është më kryetar. Sipas tij vula e Partisë Demokratike ka ndryshuar që më 11 dhjetor.
PD ka legjitimuar si përfaqësues të saj Indrit Sefën, Sekretar për çështjet ligjore e zgjedhore si edhe Marash Logun, duke ia hequr këtë përfaqësim Ivi Kasos, i shprehur hapur krah ish kryeministrit Sali Berisha.
Megjithë pretendimet e Kasos, komisioneri i KQZ-së, Ilirian Celibashi është shprehur se KQZ njeh vetëm institucionet legjitime.
Lidhur me këto ndryshime, Kaso u shpreh se përfaqësimi vijon automatikisht, për sa kohë jemi në periudhë ligjore, duke theksuar vendimet e Kuvendit të 11 dhjetorit, thirrur nga ish kryeministri Sali Berisha.
“Ju uroj suksese në procesin e dekretuar nga Presidenti. I bëj me dije KQZ, jemi në një periudhë zgjedhore, perfaqësimi vijon automatikisht, nuk kemi ende subjekt zgjedhor në garë. I bëj me dije KQZ për një fakt të bërë publik, edhe Kuvendi i Shqipërisë, lidhur me faktin që prej dhjetorit 2021, jo vetëm nënshkruesi i letrës nuk është më kryetar i PD, sigla dhe vula e PD, kanë ndryshuar në raport me ato të depozituara në procesin e 25 prillit.”- u shpreh Kaso.
“Në pikëpamje të ligjit, raporti i një partie politike me KQZ është një raport i vazhdueshëm dhe qoftë gjatë periudhës zgjedhore dhe jo zgjedhore. Ekziston një marrëdhënie për aq sa ligji e përcakton. Secili prej institucioneve ka mënyrën e vet dhe e demostron në mënyrë të ligjshme. Me gjithë keqardhjen me këtë situatë, jemi në një marrëdhënie institucionale mes KQZ dhe PD ku ai që është përfaqësuesi ligjor i saj ka konsideruar cilët do të jenë përfaqësuesit e saj në KQZ. Për ju kjo ishte fjala e fundit në lidhje me këtë cështje dhe vijimin e mëtejshëm të mbledhjes së KQZ. Opinionet e PD, janë ato që do të prezantohen nga Indrit Sefa dhe Marash Logu.” u shpreh Celibashi. Ndiqni deklarimin e Celibashit duke klikuar (këtu)





