KMA NEWS / I ftuar në Top Story Ben Blushi e ka nxjerrë të paligjshëm Referendumin e propozuar për datën 9 mars nga Edi Rama. Jo vetëm sepse sipas tij konkresi i sapombaruar nuk miratoi një pyetje me të cilën PS do ti drejtohet antarësisë së saj, por edhe për një arsye tjetër. Blushi lexoi statutin e ri të PS i cili thotë shprehimisht: “Referendumet zhvillohen në bazë të kodit zgjedhor të partisë”. Por Ben Blushi ka lexuar më pas edhe këtë kod. “Nuk mund të ketë referendum 2 muaj para dhe pas kongresit” thuhet në të. Pra është e qartë se referendumi i datës 9 prillit është i paligjshëm. “Këto janë pra arsyet se pse Rama bën gjithë këto pirueta. Ai nuk do zgjedhje sepse ai dhe Rilindja është pakicë në PS”- tha Blushi.
Ndër të tjera Blushi është shprehur i vendosur për të vijuar atë që ai e quan “betejë për të nxjerrë Partinë Socialiste nga rruga e privatizimit prej një njeriu”. Në emisionin “Top Story” ai tha se do të mbetet pjesë e partisë më të madhe aktualisht në pushtet dhe do të kërkojë aty respektimin e rregullave dhe lejimin e garës.
A do të krijojë Blushi një parti të re? “Unë jam aktualisht pjesë e një partie dhe do të vazhdoj të jem pjesë e saj derisa të besoj se ajo është privatizuar. Për momentin unë jam pesimist, por jo fatalist.” – tha Blushi duke shtuar se do të kërkojë deri në fund respektimin e regullave të brendshme.
Ai tha se Kongresi dështoi të miratonte tre çështje kryesore.
“Nuk jam dakord që mbështetja ishte 6 veta. Nuk pati garë dhe mbështetja nuk u provua. Ky kongres pati një pjesë spektakolare, sidomos në fund. Pjesa e e tretë ku folën armiqtë e partisë ishte spekatkolare. Kongresi dështoi të bënte tre gjëra. E para, nuk bëri garë. E dyta; duhet të miratonte një statut nen për nen, ç’ka nuk e bëri, e miratoi në parim. E treta, duhet të miratonte pyetjet e referendumit dhe nuk i bëri. Të trija këto pika nuk u miratuan”,- tha ai.
Ben Blushi ka shprehur rezerva dhe për nenin e statutit të PS që sanksionon se kreu i PS-së është automatikisht Kryeministër. “Ne jemi një koalicion. Sikur LSI-ja të kërkojë që të mos jetë Rama Kryeministër, por një tjetër, Taulant Balla për shembull me që e ka dhe qejf Ilir Meta, çfarë ndodh në këtë rast? Taulant Balla bëhet edhe kryetar i PS-së edhe Kryeministër”,- tha Blushi. Sipas tij, “ky nen zëvendëson votën e një njeriu me 100 mijë votat e socailistëve. Dhe e dini kush është ky njeri që vota i vlen sa 100 mijë vota? Është Ilir Meta”.
Duke folur për votimet për anëtarët e Asamblesë Kombëtare, Blushi u shpreh se janë përjashtuar gjithë themeluesit e Partisë Socialiste. “Janë hequr ata që përballuan opozitën me Berishën në vitet 1991-1997 dhe janë marrë mbetjet e PD-së. U futën mbetjet e PD”.
Lidhur me të ardhmen e tij në PS ai u shpreh se “unë kam ikur nga Rilindja, nuk kam ikur nga PS. Jam akoma pjesë e PS”.





