KMA NEWS / Deputeti i LIBRA-s, Ben Blushi ka folur sot në kuvend duke ju referuar reformës zgjedhore dhe pikërisht për votimin dhe numërimin elektronik. Blushi i është përgjigjur edhe kreut të grupit parlamentar të Mazhorancës Gramoz Ruçi.
Deputeti Blushi tha se votimi dhe numërimi elektronik janë të mundshëm dhe është e kotë të mos realizohen.
Sipas tij, kjo ul koston e zgjedhjeve, si edhe garanton zgjedhje të lira dhe të ndershme.
“Kush e pranon sot që kundërshtari mund t’ia numërojë si duhet kundërshtarit votat?”, pyeti Blushi.
“Ju shihni futboll po s’ka logjikë meqë Juventusi ka fituar kampionatin vitin që shkoi, sot t’i jepet e drejta që të caktojë gjyqtarët për çdo ndeshje”, me këtë shpreheje të vërtetë ka thumbuar njëkohësisht edhe Rilindjen e kryeministrin Rama.
Blushi tha se kjo metodë që partia që fiton zgjedhjet të caktojë numërues e vëzhgues nuk ka sens.
“Pse është kaq e vështirë Gramoz të mos numërohen votat në elektronikë. E dini sa është fatura jonë në zgjedhje? Është trefishi i votimit elektronik. Pse s’ka kohë për numërim dhe votim elektronik në Shqipëri?”, pyeti Blushi.
Ai madje tha se votimi elektronik duhet të kryhet jo për hatër të PD-së, pasi kjo nuk e meriton, por për hatër të qytetarëve shqiptarë.
Blushi tha se shqiptarët meritojnë të votojnë në mënyrë normale.
“Reformë zgjedhore nuk do të ketë sepse PS dhe PD nuk e duan. Kishte kohë të mjaftueshme edhe për të ndryshuar skemën e financimit të partive, por diçka e tillë nuk ka ndodhur. Shqiptarët meritojnë të votojnë në mënyrë normale”, tha Blushi.
Më tej, deputeti i LIBRA-s tha se politika ka tradhtuar edhe emigrantët, duke mos i dhënë të drejtën e votës. “Kemi 20 vjet që i tradhtojmë emigrantët. Ishte e mundur që në 3 vjet ti jepnim mundësi të votojnë”, tha Blushi.





