SHQIPETARI News / Përmirësohet gjendja shëndetësore e kryeministrit britanik Boris Johnson
Nga Mimoza CCACA, Londër
Gjendja shëndetësore e kryeministrit britanik Boris Johnson, i cili ndodhet prej dy ditësh në spitalin St Thomas, është përmirësuar ditën e sotme bëjnë me dije zyrtarë pranë kryeministrit.
Kancelari Rishi Sunak, gjatë një konference për shtyp të Mërkurën pasdite ka njoftuar se gjendja shëndetësore e kryeministrit Johnson është përmirësuar.
“E fundit nga spitali është se kryeministri mbetet në kujdesin intensiv të mjekëve ku gjendja e tij po përmirësohet. Mund t’ju them gjithashtu se ai është ngritur vetë nga krevati dhe është angazhuar pozitivisht me ekipin mjekësorë . Kryeministri nuk është vetëm kolegu dhe shefi im, por edhe miku im, dhe mendimet e mia janë me të dhe familjen e tij.”-tha Cancelari.
Ndër të tjera Sunak tha: “Unë mendoj se kryeministri ka marrë kujdes dhe këshilla të shkëlqyera në çdo hap të procesit. Në fund të ditës, ne të gjithë po përpiqemi të bëjmë më të mirën, askush prej nesh nuk është mbinjerëzor dhe i padurueshëm për t’u sëmurur gjatë këtij procesi dhe kjo është ajo që e bën këtë gjë kaq të tmerrshme … siç e kemi parë, kujdesi ka qenë i shkëlqyer. ”
Ai tha se politikanët dhe zyrtarët kishin “bërë çmos për të ndjekur udhëzimet” pas shqetësimeve se një numër i madh i atyre që punojnë në luftën kundër koronavirusit në Westminster janë prekur nga sëmundja.
Duke këmbëngulur që qeveria po funksiononte akoma mirë, ai tha: “Ka një azhurnim të mirë për gjendjen e kryeministrisë, ku shumica e atyre që janë larguar tani janë duke u kthyer në punë. Por, pavarësisht nëse njerëzit janë larguar apo distancuar nga shoqëria ose nga vendi i punës, programi i qeverisë në të gjitha fushat ka ecur me ritme. ”
Kancelari, Rishi Sunak, njoftoi një paketë prej 750 milion paund për përkrahje sociale në të gjithë Mbretërinë e Bashkuar. Ndërsa shkollat në të gjithë Mbretërinë e Bashkuar nuk pritet të rihapen pas pushimit të Pashkëve. Ndërkohë, Spitali i dytë NHS Nightingale, i cili u ndërtua në NEC në Birmingham, do të hapet të Premten, ku do të ketë 500 shtretër për të trajtuar pacientët me koronavirus.
Këshilltarit shkencor i qeverisë, Angela Mc Lean, tha se përhapja e koronavirusit nuk ishte duke u përshpejtuar dhe Mbretëria e Bashkuar duket se po shkon drejt një lakore të sheshtë, pasi masat e bllokimit filluan të japin fryte e saj. Megjithëatë, për shkak të vonesave në raportim, numri i vdekjeve mund të pritet të vazhdojë të rritet.
Deri më tanë në Britaninë e Madhe janë infektuar 60 733 persona nga ku 938 persona gjatë 24 orëve të fundit, si dhe kanë gjetur vdekjen 7079 prej tyre.
Në mbarë globin numërohe rreth 1.4 milionë njerëz që janë infektuar nga koronavirusi, si dhe kanë vdekur mbi 83,000 persona të tjerë.
SHBA-ja ka shënuar numrin më të madh të të vdekurve në një ditë, duke e çuar numrin e përgjithshëm në 12.900 dhe 400 mijë të infektuar. Spanja ka 142 mijë të infektuar dhe 14 mijë viktima, ndërkohë që Italia regjistron rreth 140 mijë veta të infektuar dhe 17,700 të vdekur. Ndërsa Franca ka një shifër me 109,069 të infektuar dhe 10,330 viktima.





