GAZETA E LONDRES – Draft-raporti i PE për Shqipërinë: Korrupsioni vijon të mbetet një shqetësim serioz
Në draft-raportin për Shqipërinë të përgatitur nga Parlamenti Evropian, vlerësohet progresi i arritur në kuadër të reformës në drejtësi, veçanërisht zbatimi i procesit të rivlerësimit (vetting) të gjyqtarëve dhe prokurorëve. Sipas draftit, ky proces ka kontribuar ndjeshëm në rritjen e llogaridhënies dhe integritetit brenda sistemit gjyqësor. Megjithatë, dokumenti thekson se korrupsioni vijon të mbetet një shqetësim serioz dhe nënvizon nevojën për rezultate më të prekshme, sidomos në hetimin dhe ndjekjen penale të rasteve të korrupsionit në nivele të larta.
Pjesë nga draft-raporti i PE për Shqipërinë
Shteti i së drejtës, gjyqësori dhe lufta kundër korrupsionit
Parlamenti Evropian përshëndet vijimin e zbatimit të reformës në drejtësi, përfshirë procesin e vettingut, i cili ka ndikuar në forcimin e llogaridhënies dhe integritetit në sistemin gjyqësor. Megjithatë, evidentohen sfida të vazhdueshme që lidhen me efikasitetin e gjyqësorit, nivelin e lartë të çështjeve të prapambetura, mungesën e qëndrueshmërisë në praktikën gjyqësore, si dhe përpjekjet për ushtrimin e ndikimeve të papërshtatshme.
Raporti bën thirrje për forcimin e mëtejshëm të organeve të qeverisjes së sistemit gjyqësor, duke garantuar pavarësinë, transparencën dhe kapacitetet e tyre profesionale. Njëkohësisht, theksohet nevoja për investime të qëndrueshme në infrastrukturën e gjykatave dhe në digjitalizimin e sistemit.
Sa i takon luftës kundër korrupsionit, theksohet se, pavarësisht përparimeve në kuadrin ligjor dhe institucional, Shqipëria duhet të konsolidojë rezultate konkrete në hetime, ndjekje penale dhe vendime përfundimtare, veçanërisht në rastet e korrupsionit në nivele të larta. Parlamenti Evropian këmbëngul që korrupsioni të adresohet në të gjitha nivelet e qeverisjes, me qëllim forcimin e besimit të qytetarëve tek institucionet dhe krijimin e një mjedisi biznesi të parashikueshëm dhe të qëndrueshëm.
Gjithashtu, nënvizohet rëndësia e luftës efektive kundër krimit të organizuar, përfshirë rrjetet e pastrimit të parave dhe trafikut të drogës, si dhe kërkohet intensifikimi i bashkëpunimit me agjencitë e Bashkimit Evropian, si Europol dhe Eurojust.





