KMA NEWS
Nga Genta Kaloçi Skënderi
Tenisi një sport fisnik, na mbytën harbutët!
Sot rrugës për në Shkup, në autobuz për surprizën time dhe tuajën bashkë ishin edhe një grup i vogël tenistësh të vegjël mosha 9-vjeçare që nënë drejtimin e trajnerit të tyre Llambi Ikonomi, do të përfaqësonin vendin tonë në nivel Ballkanik.
Marko Ikonomi 9 vjeç nga qyteti i Durrësit dhe 10-vjeçari Joan Sura nga Tirana, janë dy pretendentët e vegjël shqiptarë për të ngritur flamurin tonë kombëtarë në Shkup, nënë udhëheqjen e Llambi Ikonomi autodidakt, shoqëruesi dhe trajneri i tenisit në Durrës, i cili pasionin e tij e ka kthyer në punë dhe profesion.
Tenisti i vogël Joani Sura stërvitet në Tiranë nënë drejtimin e profesor Fatos Nallbanit, në ambientet e Klubit Tirana te fushat e Shallvareve. Ndërsa Marko Ikonomi stërvitet nga babai i tij Llambi Ikonomi, i cili ka ndërtuar edhe një fushë posaçërisht për stërvitjen e të birit në oborrin e shtëpisë.
Thirrja e tij është me shumë interes ndaj prindërve për fëmijët e tyre. Mund të pëshpërisni se është sport për elitën e shtrenjt, këto janë veçse justifikime, duhet vetëm dëshirë, pasion dhe ideja e bindjes për të filluar dhe aktivizuar me një sport të tillë kaq të bukur. Nëse marrim parasysh shpenzimet që bëjnë familjarët për sende e lojra pa vlerë që budallepsin fëmijët pa u dhënë asgjë të dobishme në kohën e tyre të lirë.
Programimi i kohës së lirë të fëmijës nga prindi përveç sportit e mëson me disiplinën e punës, përfshirjes, përgjegjsisë të cilët ndihmojnë në të ardhmen e sukseshme të fëmijës. Prindërit shqiptarë duhet të përfshohen më shumë në jetën aktive të fëmijës së tyre për të kaluar kohë cilësore dhe jo vetëm të jenë së bashku buzë liqenit duke mësuar fëmijët e tyre në sportin familjar të lëvozhgave të farave.
Në një bisedë të shkurtër me trajner Llambin na foli për kategoritë dhe nivelin e topave të lojës së tenisit.
Më konkrerisht fëmijët marrin pjesë në garat e Nivelit të topit portokalli, që futet te kategoria e topave të butë në varësi të moshave. Modeli amerikan përkrah formulën me topat e fortë, kurse modeli europian kërkon të zhvillohet kampionati në tre kategori duke kaluar gradualisht nga fusha e vogël deri te fusha e madhe me topat e fortë.
Kjo pjesëmarrje është shumë domethënëse për zhvillimin e fëmijëve duke i angazhuar me aktivitete sportive dhe mbajtur larg nga sjelljet e këqija dhe delekuente kriminale.
Përfshirja dhe futja në programet e shkollës për përdorimin e ambjenteve të përbashkëta në oraret e pasdites është shumë domethënëse për fëmijët. Gjithashtu kjo kërkon një b/punim të ngushtë midis drejtorisë së shkollave, Ministrisë së Arsimit dhe Sporteve.
Aktiviteti i tenisit treditor në Shkup do të zhvillohet nga 15-18 shtator 2016 në nivel Ballkanik nga Federata Europiane. Ky aktivitet zhvillohet dy herë në vit respektivisht në Maqedoni dhe Shqipëri.






