KMA NEWS / Në Vlorë ceremonia zyrtare për 104 vjetorin e Pavarësisë ka bërë bashkë Presidentin Bujar Nishani dhe Ministren e Mbrojtjes Mimi Kodheli. Pjesëmarrja e qytetarëve ishte e vakët edhe për shkak të reshjeve të shiut. Ndërkaq Kryeministri Rama që ndodhet në Berlin uroi shqiptarët përmes Facebook.
Në Vlorë aty ku 104 vjet më parë u ngrit flamuri kuqezi është përkujtuar në një ceremoni zyrtare Dita e Pavarësisë, ndërsa reshjet e shiut nuk u ndalën për asnjë çast.
Presidenti, Bujar Nishani dhe Ministrja, Mimi Kodheli pas përplasjeve në distancë për buxhetin e mbrojtjes janë bërë bashkë në sheshin e Flamurit për të uruar 104 vjetorin e Pavarësisë.
Pas cermonisë së ngritjes së flamurit, Nishani, Kodheli dhe zyrtarë të tjerë të lartë zhvilluan homazhe dhe vendosën kurora me lule në varrin e Ismail Qemalit.
Por urimin Presidenti Nishani zgjodhi t’ua përcillte shqiptarëve nëpërmjet facebookut.
“Gëzuar Festën e Flamurit! Nder përjetë luftëtarëve dhe dëshmorëve të këtij procesi që bëri të mundur kalimin e shqiptarve drejt modernitetit, kthimin e tyre në shtëpi, në gjirin e kontinentit që i përkasim që kur zë fill jeta, kthimin në familjen evropiane.”
Edhe kryeministri Edi Rama uroi Ditën e Pavarësisë nëpërmjet një postimi në Facebook:
“Mirënjohje përjetë Ismail Qemalit dhe të gjithe etërve themelues të shtetit shqiptar! Rroftë Shqipëria dhe rrofshin shqiptarët kudo ku jetojnë!”
Dita e Pavarësisë është përkujtuar me festime dhe aktivitete të shumta në të gjithë botën kudo ku jetojnë shqiptarë.
Ndërsa kreu i Kuvendit Ilir Meta ka uruar nga Shkodra, për Ditën e Pavarësisë së Shqipërisë.
Kryeparlamentari duke folur për negociatat e Shqipërisë me BE-në, u shpreh optimist se në muajin dhjetor Këshilli i Europës do të rekomandojë hapjen e negociatave për vendin tonë.
“Jemi optimist për dhjetorin dhe për reformën në drejtësi se do të përmbyllet e plotë”, deklaroi Meta.
Kreu i Kuvendit komentoi edhe qëndrimin e demokratëve që ditën e sotme festojnë dy festat bashkë, pavarësinë dhe çlirimin.
“29 nëntori nuk është vendosur si datë çlirimi nga ne. Kultura e vjetër duhet t’i takojë të kaluarës”, tha Ilir Meta.











