GAZETA E LONDRES – Gjendje katastrofike në Greqi, qindra qytetar të bllokuar nga uji
Qindra banorë mbeten të bllokuar në fshatrat rreth Greqisë qendrore, pasi përmbytjet goditën rajonin, duke vrarë të paktën 10 persona. Helikopterët shpëtuan personat qe kishin hipur në çatitë e ndërtesave, ndërsa personeli ushtarak u erdhi në ndihmë qytetarëve të bllokuar me gomone, teksa uji arriti deri ne 3 metra thellësi në disa zona.10 viktimat u zbuluan në zonën e Thesalit, rreth 330 km në veri të Athinës.
Sipas ministrit të mbrojtjes civile, Vassilis Kikilias, 4 persona rezultojnë të zhdukur. Sakaq, 1700 mijë vetë janë shpëtuar në total, mes të cilëve 296 të ngritur me helikopter nga shtëpitë e tyre të përmbytura.
Godina të tëra u fashitën nga vërshimi i ujit, urat u shembën , rrugët u bënë të pakalueshme dhe linjat elektrike u rrëzuan. Kryeministri Kyriakos Mitsotakis u zotua të premten se qeveria e tij do të bëjë gjithçka, njerëzisht të mundshme, për të mbështetur rajonet e goditura, teksa inspektonte zonën e shkatërruar të Karditsa. Prioriteti kryesor sipas tij, ishte shpëtimi i qytetarëve ende në rrezik, veçanërisht atyre që jetojnë në fshatrat të cilat uji I ka izoluar prej ditësh.
“Pronarët e shtëpive, apartamenteve dhe bizneseve të shkatërruar do të marrin mbështetje financiare sa më shpejt të jetë e mundur”, premtoi Mistotakis. Ai tha se do t’i gjejnë paratë, qofshin ato fonde kombëtare ose europiane.










