KMA NEWS / Pas vendimit të sotëm të Komisioni të Pavarur të Kualifikimit për shkarkimin nga detyra të Fatos Lulos, Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë përfundimisht mund të cilësohet e bllokuar dhe madje inekzistente.
Pavarësisht se gjyqtari Lulo sipas avokatit Visha, do të ankimojë vendimin në Kolegjin e Apelimit, ai nuk mund të ushtrojë më detyrën.
Neni 62 i ligjit të Vetingut parashikon që subjekti i rivlerësimit, i cili ka ushtruar të drejtën e ankimit ndaj vendimit të Komisionit për masën disiplinore për shkarkimin nga detyra, pezullohet nga detyra e tij në pritje të vendimit të Kolegjit të Apelimeve.
Gjatë periudhës së pezullimit atij i njihet e drejta e pagës në masën 75 për qind të saj.
Por edhe para këtij vendimi ka pasur një debat të madh për çështjen e Gjykatës Kushtetuese. Tani pas shkarkimit të Lulos, ajo përfundimisht, nuk merr dot më vendime.
Aktualisht Presidenti i Republikës, Ilir Meta, ka vendosur të hapë procedurën e zgjedhjes së dy anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, por edhe ky proces duket se do të dojë një kohë të gjatë, pasi me futjen në fuqi të ligjeve të reformës në drejtësi, anëtarët e rinj të gjykatës duhet të kenë kaluar më parë Vetingun.
Edhe pasi të kryhet kjo procedurë emrat e kandidatëve do të kalojnë nga KED, Këshilli i Emërimeve në Drejtësi dhe më pas, Kuvendi zgjedh gjyqtarin e Gjykatës Kushtetuese me jo më pak se tri të pestat e të gjithë anëtarëve të tij.
Nëse Kuvendi nuk zgjedh gjyqtarin brenda 30 ditëve nga paraqitja e listës nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, kandidati i renditur i pari në listë shpallet i emëruar.
Pra praktikisht vendi ynë mund të konsiderohet pa Gjykatë Kushtetuese, sepse edhe ata anëtarë që kanë ngelur pas shkarkimit të Lulos, nuk mund të marrin dot më asnjë vendim.
Fatos Lulo, u shkarkua nga detyra e anëtarit të Gjykatës Kushtetuese nga Komisioni i pavarur i Kualifikimit i cili pati dyshime mbi burimin e pasurive të deklaruara të gjyqtarit. Vendimi vjen në kuadër të procesit të rivlerësimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve, të cilit i janë nënshtruar deri tani drejtuesit e institucioneve më të larta të Drejtësisë. Avokati i zotit Lulo e quajti të padrejtë masën e sotme dhe paralajmëroi se do të bëjë ankimim.
Në seancën dëgjimore dy ditë më parë mbrojtësi i gjyqtarit, avokati Ardian Vishaj dorëzoi dokumente që sipas tij tregojnë se e motra e zotit Lulo kishte mundësi financiare për të përballuar dhuratat dhe se gjithshka ishte kryer sipas rregullave. Por Komisioni duket se nuk është bindur nga argumentat e avokatit dhe dokumentacionin e paraqitur prej tij
Zoti Vishaj e quajti sot të padrejtë vendimin: “ne e konsideruam tërësisht të paqenë të gjithë fabulën mbi të cilën u dha verdikti i sotëm i përkohshëm. Eshtë një vendim që për rastin, për mua, është tërësisht i padrejtë, i pambështetur në gjithë sa u relatua dhe u provua dhe nga ana jonë”, u shpreh pas vendimit avokati.





