GAZETA E LONDRES – Greqia përfshihet nga protesta masive në përvjetorin e tragjedisë hekurudhore në Tempi
Greqia është tronditur sot nga protesta masive dhe një grevë e përgjithshme, në përkujtim të dyvjetorit të aksidentit tragjik hekurudhor në Tempi, ku humbën jetën 57 persona, mes tyre edhe gjashtë emigrantë shqiptarë.
Mijëra qytetarë dolën në rrugë për të kërkuar drejtësi, ndërsa tensionet mes protestuesve dhe policisë u përshkallëzuan në përleshje të dhunshme, që sollën dhjetëra të arrestuar dhe të plagosur. Sindikatat e mëdha mbështetën protestat me një grevë të përgjithshme, duke paralizuar shërbimet publike dhe transportin në të gjithë vendin.
Familjet e viktimave kërkojnë drejtësi
Protestat u organizuan nga familjet e viktimave, të cilat kërkojnë zbardhjen e plotë të tragjedisë dhe vendosjen e fajtorëve përpara drejtësisë. Analistët në Athinë thonë se këto protesta janë shenjë e pakënaqësisë së madhe publike ndaj qeverisë së kryeministrit Kostandin Mitsotakis, e cila akuzohet për mosveprim dhe mungesë transparence në hetimet mbi ngjarjen.
Kritikët theksojnë se, ndërsa zyrtarë të nivelit të ulët të hekurudhave janë akuzuar për neglizhencë, politikanët dhe drejtuesit e lartë nuk kanë mbajtur asnjë përgjegjësi për mangësitë në infrastrukturën hekurudhore që çuan në këtë tragjedi.
Përleshje mes protestuesve dhe policisë
Në Athinë, protesta u shoqërua me përleshje mes demonstruesve dhe forcave të rendit. Protestuesit hodhën bomba molotov dhe brohoritën slogane si “Ju numëroni fitimet, ne numërojmë jetët”, ndërsa policia u kundërpërgjigj me gaz lotsjellës, granata tymuese dhe ujë me presion për të shpërndarë turmat.
Të paktën 41 persona u arrestuan dhe 20 të tjerë morën ndihmë mjekësore për shkak të përplasjeve të dhunshme jashtë Parlamentit grek dhe në rrugët përreth.
Greqia paralizohet nga greva e përgjithshme
Sindikatat më të mëdha greke, përfshirë Konfederatën e Përgjithshme të Punëtorëve, mbështetën protestat duke thirrur një grevë të përgjithshme që bllokoi sektorë kyç të vendit.
Si pasojë:
Fluturimet ajrore dhe shërbimet hekurudhore u anuluan, Tragetet u ndaluan, Transporti publik u pezullua,
Kufijtë me Shqipërinë u mbyllën për 24 orë, përfshirë pikën kufitare të Kakavijës, e cila mbeti e boshatisur.
Një tragjedi që nxori në pah dështimet e sistemit hekurudhor
Aksidenti në Tempi mbetet katastrofa më e rëndë hekurudhore në historinë e Greqisë. Përplasja e trenit të pasagjerëve me një tren mallrash ekspozoi dështimet sistematike në sigurinë e transportit hekurudhor dhe kërkesat e kahershme të punonjësve për kushte më të mira pune.
Njëmbëdhjetë nga viktimat e tragjedisë ishin punonjës të hekurudhës. Ndërsa sot, pas dy vitesh, dhimbja dhe zemërimi nuk janë shuar, dhe qytetarët grekë vijojnë të kërkojnë të vërtetën dhe drejtësi për jetët e humbura.





