KMA NEWS – Hetimet për 6 janarin, dëshmojnë zyrtarët që i rezistuan presionit të ish-Presidentit Trump
UASHINGTON – Komisioni hetimor i Dhomës së Përfaqësuesve për sulmin e 6 janarit dëgjoi sot dëshmitë e punonjësve zgjedhorë dhe zyrtarëve lokalë që refuzuan presionin e ish-Presidentit Donald Trump për të përmbysur rezultatin e zgjedhjeve të vitit 2022, megjithëse iu desh të përballeshin në raste të caktuara edhe me sulme frikësuese personale.
Seanca dëgjimore për hetimin e sulmit të 6 janarit 2021 ndaj Kapitolit të Shteteve të Bashkuara, rifilloi të martën e përqëndruar tek përpjekjet e ish-Presidentit Trump për të zhbërë në nivel lokal fitoren e Joe Biden-it, duke i shtyrë zyrtarët në shtetet kyçe elektorale që të refuzonin fletëvotimet, ose të krijonin një listë alternative elektorësh për paraqitjen përfundimtare të tabelave zgjedhore në Kongres. Presioni ushqehej nga pretendimet false të presidentit të mundur për manipulime zgjedhore, të cilat komisioni thotë se udhëhoqën drejtpërsëdrejti tek trazirat në Kapitol.
Sekretari i Shtetit i Xhorxhias, Brad Raffensperger, dëshmoi për telefonatën e marrë nga Presidenti Trump ku iu kërkua “të gjente 11,780 vota” që do të përmbysnin rezultatin në këtë shtet dhe do t’ia mohonin fitoren zotit Biden.
Zoti Raffensberger, së bashku me zëvendësin e tij Gabe Sterling dhe me kryetarin republikan të dhomës së përfaqësuesve të shtetit Xhorxhia, Rusty Bowers, janë dëshmitarët kryesorë, së bashku me Wandrea “Shay” Moss, ish-punonjëse zgjedhore në Xhorxhia, si dhe me nënën e saj, të cilat kanë thënë se janë përballur me një përndjekje të atillë publike nga aleatët e ish-Presidentit Trump, saqë nuk kanë qenë në gjendje të vazhdojnë një jetë normale.
“Morëm … mbi 20 mijë mesazhe me postën elektronike dhe dhjetëra mijëra mesazhe zanore dhe tekste, të cilat mbushën zyrat tona dhe ne nuk ishim në gjendje të punonim, të paktën të komunikonim”, tha Rusty Bowers, kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve të Arizonës.
Ai tha se ngacmimet kanë vazhduar, me demonstrata në shtëpinë e tij, konfrontime me fqinjët dhe kërcënime e fyerje të tjera që vazhduan edhe kur vajza e tij ishte e sëmurë rëndë.
“Ishte shqetësuese, ishte shqetësuese”, dëshmoi i prekur zoti Bowers, i cili kishte bërë fushatë për zotin Trump në vitin 2020 dhe tha se donte që ai të rizgjidhej.
Zoti Bowers përshkroi bisedat me ish-Presidentin Trump dhe ndihmësit e tij të ngushtë, përfshirë avokatin e tij personal Rudy Giuliani dhe këshilltarin John Eastman, të cilët i kërkuan zotit Bowers të refuzonte rezultatet e zgjedhjeve.
“Ju po më kërkoni të bëj diçka kundër betimit tim dhe unë nuk do ta thyej betimin tim”, tha zoti Bowers, duke rrëfyer një bisedë me zotin Giuliani.










