KMA NEWS / Zgjidhja e konfliktit me socialistët do të jetë “institucionale” thotë kreu i LSI-së, Ilir Meta. Në një takim me strukturat në Tiranë, Meta nuk përmendi institucione konkrete, por tashmë është e qartë se LSI kërkon ndryshime në Ministrinë e Brendshme.
“Zgjidhja institucionale me përgjegjshmëri të plotë dhe jo retorikat konfliktuale politike, fajësuese dhe shfajësuese, do ta çojnë angazhimin tonë për forcimin e shtetit ligjor dhe sundimit të ligjit në vend në nivele të reja, shumë më të larta dhe të qëndrueshme. Ky është vizioni dhe kjo është përgjegjshmëria e Lëvizjes Socialiste për Integrim”, tha Meta duke mbetur tek gjuha e drunjtë për momentin. Deklaratat kundër Ministrisë së Brendshme kanë qenë të forta nga drejtues të tjerë të LSI-së. Kulmin e arriti me Ministrin e Mjedisit Lefter Koka që foli hapur për t’u ndarë nga koalicioni me PS para zgjedhjeve të 18 qershorit.





