KMA NEWS / Këshilli Bashkiak i Nju Jorkut nderon gjashtë shqiptaro-amerikanë
Nga Ardita Dunellari
“Së pari sepse më jepet nga një biri i shquar i komunitetit shqiptaro-amerikan, Mark Gjonaj, puna dhe roli udhëheqës i të cilit duhet të shërbejnë si frymëzim për këdo që të angazhohet në shërbim të publikut. Një tjetër arsye është se më jepet ky nderim në këtë tempull të demokracisë, në bashkinë e Nju Jorkut, një qytet që hapi krahët për familjen time kur emigroi. Gjithashtu, ndjehem i nderuar që e marr këtë vlerësim në Ditën e Flamurit”.
Nazo Veliu, e zgjedhur për të prezantuar simbolikisht Çamërinë, u nderua për aktivitetin e saj si anëtare e Federatës Panshqiptare Vatra. Në fjalën e saj zonja Veliu kujtoi vuajtjet e familjes që ishte dëbuar nga Çamëria:
“Babai lindi në Filat; erdhi kur ishte 10 vjeç në Shqipëri dhe nuk u kthye kurrë më në Çamëri. Ai vdiq në moshën 67 vjeç dhe gjithë kohës zemra i qau për vendlindjen që la pas”.
Rrëfime e kujtime shpesh të zymta përcjellin një mesazh të forcës e vitalitetit të kombit. Një sallë e mbushur me qeleshe e një rini në veshje tradicionale dëshmon një komunitet që megjithëse ka hedhur rrënjë prej një shekulli në Nju Jork, ruan ende një identitet të qartë kombëtar.







