GAZETA E LONDRES – Kombëtarja Kuq e Zi thyhet nga Kili 0-3
Kombëtarja Shqiptare e ka nisur vitin me një humbje 0-3 përballë amerikano-latinëve të Kilit, në Parma, teksa kuqezinjtë pësojnë humbje pas thuajse një viti, duke qenë se disfata e parë dhe e vetme nën drejtimin e Sylvinhos, datonte më 27 mars të 2023-shit ndaj Polonisë në Varshavë…
Nga një gol për çdo pjesë për amerikano-latinët, që në pjesën e parë u ndihmuan edhe nga arbitri, pasi shënuan pas një topi të ulur me dorë dhe në të dytën dyfishuar shifrat me një aksion në një moment përgjumjeje të mbrojtjes kuqezi, rreth 10 minuta nga fundi, ndërsa në shtesë vulosën gjithçka për rezultatin final 0-3.
Nga ana tjetër kuqezinjtë e Sylvinhos u shfaqën larg formës së tyre më të mirë, duke bërë shumë gabime. Dy sulmuesit e kthyer në Kombëtare, Rey Manaj që e nisi nga fillimi dhe Broja i aktivizuar në vend të tij në pjesën e dytë, nuk arritën të shënonin falë edhe mos furnizimit me pasime nga skuadra.
Peshojnë disa muaj pa ndeshje zyrtare për Jasir Asanin, që provon, por e majta nuk i bindet, ndërsa edhe debutuesi Arbër Hoxha nuk arriti të lërë gjurmë në këtë takim, ndonëse luajti pak më shumë se 20 minuta.
Ndoshta edhe axhërimi i disa lojtarëve ka bërë punën e vet në këtë ndeshje.





