GAZETA E LONDRES – Komuniteti shqiptar në Kretë i jep lamtumirën e fundit Kastriot Matrizit
Me dhimbje të thellë, komuniteti shqiptar në Rethimno të Kretës i dha lamtumirën e fundit Kastriot Matrizit, 45-vjeçarit që humbi jetën tragjikisht në një aksident automobilistik. Ceremonia mortore u zhvillua në një atmosferë të rënduar nga pikëllimi, por njëkohësisht e mbushur me respekt dhe nderim për jetën dhe figurën e tij.
Arkivoli me trupin e pajetë u përcoll për në Atdhe, i shoqëruar nga dhjetëra bashkëatdhetarë të ardhur nga zona të ndryshme të Kretës. Në ceremoni morën pjesë përfaqësues dhe anëtarë të komuniteteve shqiptare nga Ierapetra, Qersoniso dhe qytete të tjera, duke dëshmuar solidaritetin dhe unitetin e komunitetit në momente të vështira.
Një kortezh me mbi 40 automjete shoqëroi arkivolin drejt portit të Hanjës. Gjatë gjithë rrugës, pjesëmarrësit ruajtën heshtjen dhe respektin, në shenjë nderimi për jetën e ndjerë të të ndjerit.
Në Hanja, qindra të tjerë ishin mbledhur për të kryer homazhet e fundit. Bashkëatdhetarë nga Hanja, Kastelo, Palio Hora dhe zona të tjera u bashkuan në këtë ceremoni, duke ndarë dhimbjen dhe duke treguar mbështetje për familjen e tij.
Kjo lamtumirë përbën një dëshmi të fortë të lidhjes dhe solidaritetit të komunitetit shqiptar në emigracion. Në këto momente të vështira, mendimet dhe lutjet e të gjithëve janë me familjen dhe të afërmit e Kastriot Matrizit.
U prehtë në paqe.





