GAZETA E LONDRES – Kosova ndërpreu ndeshjen me Rumaninë: Deklaratë Publike e Federatës së Kosovës (FFK)
Gjyqtari danez Morten Krogh e ka mbyllur pas një ore ndërprerje ndeshjen mes Rumanisë dhe Kosovës, pasi lojtarët dardanë nuk dolën në fushë për shkak të sigurisë së ulët në “Arena Nationala” dhe racizmit të tifozëve vendas.
Pas më shumë se një ore pritjeje, Franco Foda refuzoi ta nxirrte ekipin në fushë edhe pas vendimit të lojtarëve, pasi nuk pati siguri nga huliganët rumunë, që hodhën sende të forta, u futën në fushë dhe bënë thirrje: “Serbia, Serbia”.
Ka qenë minuta e 95-të kur kapiteni Amir Rrahmani ka tërhequr ekipin në dhomat e zhveshjes, pas thirrjeve raciste të përsëritura në stadium nga tifozëria ultrase rumune.
Ky nuk është incidenti i parë mes dy skuadrave, pasi edhe më parë në takimet mes tyre ka pasur ndërprerje të takimit për shkak të incidenteve nga tifozëria rumune, gjatë eleminatoreve për Evropianin e kaluar.
Federata e Futbollit e Kosovës (FFK) ka dalë me një deklaratë publike ku ka sqaruar gjithçka çfarë ka ndodhur dhe si ka ardhur deri te ndërprerja e ndeshjes së Kosovës me Rumaninë, të zhvilluar të premten mbrëma në Bukuresht.
Ndeshja mes Kosovës dhe Rumanisë nuk ka përfunduar si çdo ndeshje, pasi futbollistët dardanët lëshuan fushën në minutat shtesë, kur rezultati ishte 0-0, pasi dëgjuan thirrje raciste dhe ksenofobike si “Serbia, serbia” dhe “Kosova është serbi”.
Deklaratë publike e Federatës së Futbollit të Kosovës:
Federata e Futbollit të Kosovës (FFK) dënon ashpër provokimet dhe sjelljet raciste që ndodhën gjatë ndeshjes së mbrëmshme ndërmjet Rumanisë dhe Kosovës në Bukuresht, në kuadër të UEFA Nations League. Ndeshja u ndërpre për shkak të thirrjeve të vazhdueshme raciste dhe anti-Kosovë nga tifozët rumunë, të cilët përsëritën sjellje raciste dhe provokuese që dëmtojnë rëndë frymën e fair play-it, vlerat e futbollit dhe janë në kundërshtim të plotë me rregulloret dhe parimet e UEFA-s.
Ndeshja, që deri në momentin e ndërprerjes kishte një performancë të shkëlqyer nga Kombëtarja e Kosovës dhe një rezultat 0:0, u përshkallëzua edhe më tej për shkak të refuzimit të tifozëve për të ndalur thirrjet e tyre raciste dhe provokuese. Pavarësisht përpjekjeve të trajnerit tonë, z. Foda, për të arritur që ndeshja të luhet dhe të eliminohen veprimet e tilla nga tifozët rumunë, prapëseprapë edhe gjatë ndërprerjes sjelljet raciste vazhduan. Në një situatë të tillë lojtarët zgjodhën me të drejtë të respektojnë rregulloret kundër racizmit të UEFA-s dhe të mbrojnë dinjitetin e shtetit të Kosovës, si një anëtar i barabartë i UEFA-s dhe FIFA-s.
Për të gjitha këto shkelje të rënda, FFK ka raportuar menjëherë incidentet tek delegati i ndeshjes dhe ka nisur përgatitjen e një ankese të plotë me fakte dhe prova që do t’i dorëzohen organeve disiplinore të UEFA-s.
Ne besojmë se UEFA do të veprojë në përputhje me vlerat e saj themelore për të dënuar ashpër gjuhën raciste dhe veprimet e tjera të papranueshme që ndodhën gjatë kësaj ndeshjeje.





