GAZETA E LONDRES – KQZ nuk regjistron Foltoren e Berishës në zgjedhjet e 14 Majit
Sali Berisha mbetet jashtë zgjedhjeve lokale të 14 majit. Komisioneri Shtetëror për Zgjedhjet, Ilirjan Celibashi nuk e regjistroi Berishën në koalicionin “Bashkë Fitojmë”.
Ky koalicion do të përbëhet nga tre partitë politike; Partia e Lirisë (PL), Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut (PBDNJ) dhe Partia Demokristiane (PDK).
“Jemi perballë të njëjtës situatë si përpara zgjedhjeve të pjesshme të 6 marsit 2022. Regjistrojme koalicionin “Bashke Fitojmë”, por vetëm me pjesëmarrëse PL, PBDNJ dhe PDK”, theksoi Celibashi gjatë fjalës së tij.
Zgjedhjet vendore 2023 – Rregjistrohen si subjekte zgjedhore “Partia Demokratike” dhe dy koalicione
Sot, Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve në seancë publike shqyrtoi kërkesën e Koalicionit “Aleanca Liberale e Djathtë”, për regjistrimin si subjekt zgjedhor në zgjedhjet për organet e qeverisjes vendore të datës 14 maj 2023.
Komisioneri vendosi regjistrimin e koalicionit “Aleanca Liberale e Djathtë” (PBKD – BLD – PBD), ALD, me parti pjesëtare të tij si më poshtë:
- Partia “Balli Kombëtar Demokrat”;
- Partia” Bashkimi Liberal Demokrat”;
- Partia “Bashkimi Demokrat Shqiptar”;
Në këtë seancë, u shqyrtua edhe kërkesa e koalicionit “Bashkë Fitojmë”, për regjistrimin si subjekt zgjedhor në zgjedhjet për organet e qeverisjes vendore të datës 14 maj 2023. Komisioneri vendosi regjistrimin e koalicionit “BASHKË FITOJMË” (PBDNJ – PDK – PL) “BF”, me parti pjesëtare të tij si më poshtë:
- “Partia e Lirisë” (PL);
- “Partia Demokristiane e Shqipërisë” (PDK);
- “Partia e Bashkimit për të Drejtat e Njeriut” (PBDNJ).
Gjithashtu, u vendos zbatimi i vendimit nr.27, datë 16.3.2023, të Komisionit të Ankimimeve dhe Sanksioneve” dhe regjistrimi i partisë “Partia Demokratike” me nënkryetar z. Enkelejd Alibeaj, në cilësinë e kryetarit të komanduar të Partisë, si subjekt zgjedhor në zgjedhjet për organet e qeverisjes vendore të datës 14 maj 2023.
Komisioneri shqyrtoi rezultatin e verifikimit të Prokurorit të Përgjithshëm, për subjektin vetëdeklarues z. Rodolf Llambi Xhillari, anëtar në Këshillin e Bashkisë Tiranë”. Në përfundim të shqyrtimit konstatoi se z. Rodolf Llambi Xhillari, me detyrë anëtar në Këshillin e Bashkisë Tiranë, nuk përfshihet në kushtet e ndalimit të ushtrimit të funksionit.
U miratua një ndryshim në vendimin nr. 100, datë 8.3.2023, “Për caktimin e numrit të kandidatëve në listat shumemërore të paraqitura nga subjektet zgjedhore për çdo zonë zgjedhore për zgjedhjet për organet e qeverisjes vendore të datës 14 maj 2023”, i cili përcakton se numri i kandidatëve në listat shumemërore për bashkinë Kuçovë bëhet 32.





