KMA NEWS / Kreu i KLP: Më 19 mars hapet gara për Prokuror të Përgjithshëm
Kreu i KLP, Gent Ibrahimi ka njoftuar se më 19 mars hapet gara për Prokuror të Përgjithshëm. Ibrahimi ka zbuluar se deri më tani kanë aplikuar 11 kandidatë për SPAK, ndërkohë që kanë mbetur edhe 7 ditë afat. Ibrahim tha se SPAK dhe Prokurori i Përgjithshëm janë gati në muajin qershor, ndërsa qeveria është përgjegjëse për mungesën e zyrave.
SPAK së bashku me Gjykatën speciale do të ketë si objektiv korrupsionin e zyrtarëve të lartë dhe krimin e organizuar. Me ngritjen e Prokurorisë dhe Gjykatës speciale, hapet dhe rruga për krijimin e Byrosë kombëtare të hetimit, e cila do të funksionojë sipas modelit të FBI-së amerikane.
Sipas Ibrahimit brenda qershorit të ardhshëm vendi do të ketë kryeprokurorin e ri dhe nisjen e funksionimit të prokurorisë speciale antikorrupsion. “Gara për Prokurorin e Përgjithshëm do të hapet më 19 mars. Ligji na jep 3 muaj kohë për të përgatitur rregulloren dhe metodën e vlerësimit të kandidatëve. Në këtë mënyrë ne po marrim kohën që na jep ligji”, u shpreh zoti Ibrahimi.
Përsa i përket Prokurorisë speciale antikorrupsion, SPAK, në datën 7 shkurt skadon afati që Këshilli i Lartë i Prokurorisë ka përcaktuar për paraqitjen e kandidaturave. Deri ditën e sotme nga 15 vende vakante, janë paraqitur vetëm 8 kandidatë. Zoti Ibrahimi tha se shpresonte që brenda afatit të caktuar do të ketë dhe kandidatura të tjera që do të paraqiten. “Mbetem optimist që deri në datën 7 do të kemi numrin e nevojshëm të kandidaturave”, u shpreh ai duke shtuar se numrin e ulët të aplikimeve “nuk e shoh si një stepje. Kemi ende disa ditë deri më datë 7 shkurt”.
Zoti Ibrahimi theksoi se angazhimi në SPAK “është një mundësi e artë për karrierën e një prokurori. Për një prokuror që ta shpjerë karrierën e tij në majat më të larta të sistemit. Eshtë vërtetë një mundësi e madhe. Të jesh për herë të parë prokuror i SPAK-ut një institucion i pritur prej 30 vitesh prej shqiptarëve, është unikale”, nënvizoi kryetari i KLP-së.





