KMA NEWS / Edhe një ditë mbetet nga kriza finale, pasi me datë 10 prill sipas Kodit Zgjedhor është afati i fundit i regjistrimit të partive në KQZ për zgjedhjet e 18 qershorit. Edhe takimi i shumëpritur Basha-Rama nuk po duket në horizont, çka do të thotë se opozita nuk do regjistrohet dhe nuk do marrë pjesë në zgjedhje. Por zgjedhje parlamentare pa opozitë nuk ka ndodhur asnjëherë në botën demokratike dhe kjo do sjellë konflikte dhe përplasje të madhe, edhe fizike, midis militantëve të PD dhe PS.
Sot LSI kishte një takim me të rinjtë e LRI, organizatës rinore.
Në aktivitetin e zhvilluar në pallatin e sportit “Asllan Rusi” në Tiranë morën pjesë Kryetari i LSI-së, Ilir Meta si edhe personalitetet kryesore të kësaj force politike.
Në fjalën e mbajtur gjatë këtij aktiviteti Ilir Meta u shpreh se të rinjtë janë forca më frymëzuese, transformuese dhe motivimi i përditshëm për një Shqipëri më të sigurt e më të drejtë që u jep shanse të gjithëve dhe në radhë të parë të rinjve dhe të rejave tona.
Ilir Meta, ndër të tjera theksoi me zë të lartë se “Të rinjtë nuk do të lejojnë që të merret peng demokracia e vendit”, duke thumbuar Edi Ramën, i cili pretendon se zgjedhjet në Shqipëri do jenë zgjedhje të standarteve europiane, por pa opozitën.
Ilir Meta ka kërkuar që edhe Basha, edhe Rama të ulen për te gjetur një kompromis për vendin. Kur thuhet kompromis nënkupton se sejcili heq diçka nga vetja, ka deklaruar Meta.

Kreu i LSI, ka sjellë në vëmendje lëvizjen e studentëve të vitit 1991 që rrëzuan “regjimin komunist më mizor në Europë”. “Rinia hodhi regjimin komunist më mizor në Europë. Edhe sot të rinjtë nuk do të lejojnë të merret peng demokracia e vendit. Demokracia në Shqipëri nuk do të jetë një one-man show, por një shans për të gjithë”- deklaroi Ilir Meta.
“Vendi asnjëherë nuk mund të mbetet peng nga askush. Nga askush që mendon më shumë për karrigen e tij sesa për paqen sociale, stabilitetin e mirësinë e vendi të tij e qytetareve. Ndaj nuk kemi asnjë minute për të humbur, as me arrogancën e njërës pale as me ultimatumet e palës tjetër për ti dhëne Shqipërisë zgjedhje të lira e të ndershme”,tha Meta.
“Nuk na dhimbsen karriget e Ilir Metes e LSI-së për ti dhenë një zgjidhje krizës politike dhe shqiptareve e Shqipërisë e për të mos u bërë turpi i Europës në vitin 2017”, theksoi Meta.
“Synojnë një Shqipëri pa drogë…Demokracia në Shqipëri nuk do të jetë më “one man show” por një shans për të gjithë”, tha kreu i LSI-së. Ai shtoi se Shqipëria nuk ka nevojë për deputetë me rekorde kriminale, që vijnë për t’i vënë gjoba qeverisë e parlamentit.
Ilir Meta kritikoi reformën në arsimin e lartë. Ai iu premtoi të rinjve se kjo forcë do të rrisë buxhetin për arsimin.
Duke sulmuar Ministrinë e Arsimit për këtë reformë, Meta tha se do ketë lehtësi për maturantët që nuk e përballojnë dot për shkak të pamundësisë ekonomike dhe nuk do çohen tek universitetet private.
“Gjithmonë jam i lumtur kur marr pjesë në takime me të rinjtë dhe kjo është gjëja që më çlodh më shumë se më krijon bindjen që puna dhe sakrificat e gjithë këtyre viteve nuk kanë shkuar dëm. Kur dëgjoj gjithë këto të rinj dhe të reja që tregojnë se Shqipëria ka të ardhme. Asnjë maturanti të talentuar nuk mund t’ia mohojmë të drejtën e studimit vetëm për faktin se familja e tij nuk ka të ardhura të mjaftueshme dhe ta detyrojmë të shkojmë në universitetet private. Ne do të reduktojmë ndjeshëm tarifat studentore për t’iu dhënë shansin studentëve dhe familjeve të tyre të përballojnë koston. Do rrisim buxhetin për arsimin”, tha Ilir Meta.

Meta shtoi se LSI ka një plan integral për arsimin. Ai tha se të rinjtë e të rejat nuk duhet të pranojnë të jetojnë në një demokraci farsë.
“Për ne si LSI dhe LRI deviza jonë ka qenë dhe mbetet arsim cilësor për një punësim të mirëpaguar dhe një familje të shëndetshme. Ndaj të rinj dhe të reja kjo është koha juaj, është koha e të rinjve dhe të rejave të Shqipërisë. Atyre që dinë të ndezin dhe mbajnë gjallë shpresën, e atyre që plot guxim i thonë jo arrogancës dhe arbitraritetit. Është koha e të rinjve dhe të rejave që nuk e kanë njohur diktaturën sepse kanë lindur në pluralizëm që nuk pranojnë të jetojnë në një demokraci farsë”, deklaroi Ilir Meta.






