KMA NEWS/ Ka një pikë ku PD dhe LSI janë në sintoni të plotë. Ajo është mbrojtja me çdo kusht e kryeprokurorit që Berisha dhe Meta e kanë emëruar me konsensus mes tyre, pasi u morën vesh për të përzënë Ina Ramën. Pavarësisht se sot është e qartë për të gjithë se Berisha ka një pakt të heshtur mossulmimi me Lllallën (rekord kur kujtojmë se ai ka anatemuar më radhë Rakipin, Sollakun, Ramën) pavarësisht se dihet që Ilir Meta e përdor atë sa herë që është në hall, edhe PD edhe LSI janë munduar t’i japin formë parimore mosndërprerjes së mandatit të Llallës.
Ato i kanë shkruar Venecias me insistim për këtë.
Në dokumentin prej 73 faqesh drejtuar Komisionit të Venecias, Partia Demokratike mes 42 objeksioneve të saj ka renditur edhe fatin e Adriatik Llallës. Opozita nënvizon se në paragrafin 7 është injoruar rekomandimi i Komisionit të Venecias dhe këmbëngulet në ndërprerjen e mandatit të Prokurorit të Përgjithshëm me shpresën se Komisioni i Venecias do të ndryshojë mendim. “Duam të sjellim në vëmendjen tuaj se shkarkimi apo ndërprerja para kohe e mandatit të Prokurorit të Përgjithshëm ka qenë vazhdimisht një temë e nxehtë e debatit politik gjatë këtyre 25 viteve. Mirëpo në të shkuarën ky proces është argumentuar me konkluzione të Komisioneve Hetimore Parlamentare për pamjaftueshmëri apo parregullsi në kryerjen e detyrës. Ndërsa sot propozohet ndërprerja e mandatit me ligj kushtetues, me qëllimin e vetëm përfitimin politik”, thuhet në opinionin e PD-së.
Nga ana tjetër edhe LSI, pasi ka shprehur të gjitha pikat ku nuk është dakord me qëndrimin e PS, është kujdesur që të ruajë monopolin e Prokurorit të Përgjithshëm në të gjithë strukturën e centralizuar të prokurorisë. “Ne kemi një gjykim tjetër nga i ekspertëve lidhur me organizimin e prokurorisë si një organ te unifikuar. Nuk mund të këtë struktura te tjera qe raportojnë në Kuvend për sa kohë që këtë e bën Prokurori i Përgjithshëm dhe duam rritje të rolit aktiv të ministrit të Drejtësisë”, deklaroi Spartak Braho në komisionin për reformën.
Ndërsa me insistimin e specialistëve të SHBA-së drafti i ri parasheh krijimin e një njësie speciale antikorrupsion, LSI kërkon garanci që edhe kjo strukturë të jetë e kontrolluar nga Adriatik Lllalla.
Synimi i dy partive të koalicionit të djeshëm është i qartë: të mos lejojnë një kontroll të prokurorisë në dëm të interesave të tyre.
Edhe për këtë ato janë bërë bashkë për reformën në drejtësi duke krijuar për këtë çështje një shumicë të re parlamentare. /lapsi/





