SHQIPTARI NEWS – Një ditë pas testit të Maturës Shtetërore për Gjuhën Shqipe dhe Letërsinë, maturantët në Tiranë, në Berat, dhe zona të tjera kanë dalë në protestë. Ata pretendojnë se provimi nuk ka qenë në nivelin e vështirësisë dhe strukturën që kishte premtuar ministrja e Arsimit, Besa Shahini. Maturantët, ata në Tiranë të mbledhur para Ministrisë së Arsimit, dhe ata në Berat, të mbledhur para Drejtorisë së qarkut kanë kërkuar rivlerësim ose ripërsëritje të provimit.

Një tjetër kërkesë e tyre është që të ulen kuotat për hyrjen në universitete. Ata thonë se testi nuk përputhet me rekomandimet dhe udhëzimet që iu janë dhënë në tre vite gjimnaz, dhe as në programin e përgatitur për tri vite. Maturantët kërkojnë rivlerësim por edhe takim me ministren e Arsimit, Besa Shahini. Protesta ka gati tri orë që ka nisur, dhe maturantët para MASR janë të shumtë në numër. Irritimi për mosmarrjen e një përgjigjie i ka detyruar ata që të qëllojnë me vezë edhe godinën e Ministrisë së Arsimit. Bashkë me ta, ndodhen edhe shumë prindër.





