GAZETA E LONDRES – Avokati: Mosfirmosja nuk të lan duart nga përgjegjësia penale
Ahmetaj i përgjigjet Dumanit: “Unë nuk kam kryer asnjë krim, pasi nuk kam firmosur” – por ligji thotë ndryshe.
️ Nga Av. Agron Gurabardhi
Deklaratat e fundit të ish-zv.kryeministrit Arben Ahmetaj, i cili iu përgjigj live kreut të SPAK-ut Altin Dumani, kanë ndezur sërish debatin mbi përgjegjësinë penale në aferën e inceneratorëve.
Ahmetaj tha: “Unë nuk kam kryer asnjë krim pasi nuk kam firmosur. I vetmi gabim imi është besimi naiv dhe dashuria vëllazërore ndaj atij që është me thikë në dorë ndaj të gjithëve.” (aludim i qartë ndaj Edi Ramës)
Në të drejtën penale: mosfirmosja nuk të shpëton nga përgjegjësia
Në praktikën juridike, mosfirmosja nuk të përjashton automatikisht nga përgjegjësia, nëse provohet se ke pasur rol vendimmarrës, ndikues apo dijeni për një veprim të paligjshëm.
Nuk është firma ajo që të bën fajtor, por fakti nëse ke kontribuar, nxitur apo lejuar kryerjen e veprës penale.
Në rastin e ish-zv.kryeministrit Ahmetaj, hetimi i SPAK synon të zbulojë pikërisht këtë: nëse ai, edhe pa firmosur, ka ndikuar, mbështetur apo përfituar nga vendimet që çuan në aferën e inceneratorëve.
Besimi naiv nuk është mburojë ligjore
Në aspektin moral e politik, “besimi naiv” te një mik ose udhëheqës mund të quhet gabim personal, por në aspektin juridik nuk përbën justifikim penal, nëse ekziston bashkëpunim ose dijeni e qëllimshme.
Nga intervistat e dhëna nga z. Ahmetaj në emisionet e Çim Pekës, rezulton se ai ka pasur njohje të gjerë dhe dijeni të mjaftueshme mbi veprimet dhe mekanizmat e aferës së inceneratorëve.
Nëse këto deklarata përputhen me faktet e hetimit, atëherë pasje dijenie për një vepër penale dhe moskallëzimi i saj përbën shkelje sipas nenit 300 të Kodit Penal – “Moskallëzimi i krimit”.
Heshtja e qëllimshme nuk është më “naivitet”
Në këtë këndvështrim, heshtja e qëllimshme përballë dijenisë së një krimi nuk është më “besë vëllazërore” apo “naivitet politik”, por mund të vlerësohet si bashkëpërgjegjësi për mosveprim penal.





