SHQIPTARI NEWS-Gratë naftëtare kanë hyrë sot në ditën e 8-të të grevës së urisë në Ballsh. Sot ato i kanë drejtuar një kërkesë Kryeministrit Rama që të shkojë në ambientet e grevës së bashku më një grup negociator dhe të bisedojë me to. Ato janë shprehur se duan vetëm paratë e tyre të fituara me gjyq dhe se nuk u intereson fare uzina e Ballshit.
Gratë naftëtare gjithashtu kanë thënë se zgjidhjen për të dalë nga greva është në dorë të kryeministrit pasi ato edhe pse janë të lodhura dhe në gjendje të keqe nga greva nuk do të heqin dorë pa marrë atë që u takon me gjyq.
”Le të ngrihet një grup negociator e të vijë të bisedojë. Ne duam zgjidhje. Kemi besim tek kryeministri Rama se do ta zgjidhë situatën. Duam pagat e fituara me gjyq, pastaj të bëjnë ç’të duan me uzinën. Jemi të lodhura e të semurë. Ditë e natë këtu, është lodhje e madhe por s’kemi rrugëzgjidhje tjetër. Vetëm kryeministri mund të na japë zgjidhje,” u shprehën grevistet.
Naftëtarët e Ballshit kanë dalë në protestë që prej 25 ditësh ku protestojnë për të marrë pagat e tyre të prapambetura dhe rifillimin e punës, por zëri i tyre nuk është dëgjuar dhe kështu morën aktin ekstrem. Pak ditë më parë, kreu i sindikatës Sokol Dautaj së bashku me disa naftëtarë kanë zhvilluar një takim me përfaqësuesit e uzinës së përpunimit të naftës në Ballsh, por takimi nuk ka përfunduar me sukses. Sipas Dautajt në takim u dhanë vetëm premtime boshe. Naftëtarët, prej 8 ditësh tashmë janë zevendësuar nga gratë që punonin në uzinë, të cilat për momentin konsumojnë vetëm ujë me sheqer.





