KMA NEWS / Kryetari i bashkisë së Londrës Sadiq Khan ka deklaruar se ekzekutivi britanik duhet të garantojë të drejtat e qytetarëve të Bashkimit Evropian që jetojnë në vend edhe pas Brexit, një ditë para se Britania të aktivizojë nenin 50 për shkëputjen nga Bashkimi Evropian.
Duke theksuar ‘kontributin e madh të 3.3 milionë qytetarëve të BE-së që jetojnë në Britani, nga të cilët një milion në Londër, Khan i bëri thirrje Bashkimit Evropian për reciprocitet në atë që e quajti gjest të vullnetit të mirë nga qeveria e kryeministres Theresa May.
Duke folur në një ngjarje në Bruksel, Khan i cili mori detyrën si kryebashkiak i Londrës në maj të 2016 nga Boris Johnson, i cili bëri fushatë dukshëm në favor të Brexit, i bëri thirrje BE-së të mos ndëshkojë Britaninë vetëm sepse zgjodhi të largohet nga blloku 28 vendesh.
Khan paralajmëroi se një marrëveshje e keqe e Brexit do të ishte e dëmshme për ekonominë evropiane për shkak të lidhjeve të ngushta financiare mes institucioneve londineze dhe Bashkimit Evropian.
May pritet t’i dërgojë një letër presidentit të Këshillit Evropian, Donald Tusk të mërkurën për të aktivizuar nenin 50 të Traktatit të Lisbonës. Më pas Tusk do të dërgojë draftin me udhëzimet negociuese për 27 vendet e tjera anëtare brenda 48 orëve.
Negociatat parashikohet të zgjasin dy vjet dhe një nga shqetësimet kryesore është kostoja e këtij procesi. Sipas mediave britanike fatura e divorcit do t’i kushtojë Britanisë rreth 60 miliardë euro, por do të jenë bisedimet dhe marrëveshjet ato që do të përcaktojnë.
Por nëse Britania ka një faturë vetëm financiare, Bashkimi Evropian është tronditur në themelet e tij nga largimi i mbretërisë së bashkuar





