GAZETA E LONDRES – Nesër nis gjykimi në themel për dosjen “Partizani” — Berisha me 4 të pandehur të tjerë përballen me drejtësinë
Të hënë më 30 qershor, në orën 10:00, në ambientet e Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, pritet të zhvillohet seanca e parë e gjykimit në themel për dosjen e njohur si “Partizani”.
Në këtë çështje penale janë të pandehur ish-kryeministri Sali Berisha, dhëndri i tij Jamarbër Malltezi, ortaku i tij Xhim Begeja, biznesmeni Fatmir Bektashi dhe financierja Andia Pustina. Ata do të përballen me akuzat e ngritura nga SPAK në lidhje me procedurat e privatizimit të ish-kompleksit sportiv “Partizani”.
Sipas organit të akuzës, Berisha akuzohet për “korrupsion pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë”, pasi në cilësinë e kryeministrit në atë kohë, dyshohet se ka favorizuar dhëndrin e tij në përfitimin e pronës shtetërore.
Ndaj Berishës është caktuar masa e sigurisë “detyrim paraqitje”, ndërsa Malltezi ndodhet në “arrest shtëpie”, pavarësisht se ka apeluar disa herë këtë masë në instancat më të larta të drejtësisë, përfshirë edhe Gjykatën e Lartë, e cila e ka lënë në fuqi vendimin.
SPAK pretendon se Jamarbër Malltezi ka përfituar rreth 5.4 milionë euro nga ndërtimi në atë truall, përmes një skeme të dyshuar abuzive që ka përfituar nga vendimet e qeverisë në periudhën kur Sali Berisha ishte në krye të ekzekutivit.
Pas përfundimit të hetimeve paraprake dhe kalimit të dosjes në gjykim, kjo seancë shënon përballjen e parë në sallën gjyqësore, ku palët do të diskutojnë në themel mbi akuzat dhe provat e paraqitura.





