GAZETA E LONDRES – “Nesër” që nuk vjen kurrë : Protesta si alibi, Opozita që i shërben regjimit
Nga Kujtim VANI
Sali Berisha nga njëra anë, Adriatik Llapaj nga ana tjetër. Dy figura që hiqen si kundërshtarë të Edi Ramës, por që në realitet luajnë të njëjtin rol: shfryrës të zemërimit qytetar pa synim përmbysjeje.
Të dy organizojnë protesta me të njëjtën refren të kalbur: “Nesër Rama shkon në shtëpi!”
“Nesër rrëzojmë narkoshtetin!” Po pse gjithmonë nesër?
Sepse “nesër” nuk ka datë. Nuk ka përgjegjësi. Nuk ka dështim të matshëm. Është fjala perfekte për mashtrimin politik.
Kur qytetarët zgjohen të nesërmen dhe pyesin: “Pse Rama është ende aty?” – përgjigjja është cinike, por e vërtetë:
“Ne thamë nesër. Jo sot.” Kjo nuk është paaftësi.
Është strategji.
Protesta si teatër, opozita si dekor
Kushdo që mendon seriozisht rrëzimin e një regjimi, nuk del në shesh me dhjetëra veta sa për kamera e rrjete sociale.
Shqiptarëve u ka mbaruar durimi. Varfëria, emigracioni, korrupsioni, arroganca e pushtetit, gjithçka ka shpërthyer. Ky popull është gati.
Por nuk ka besim. Sepse përballë ka një opozitë që nuk do të fitojë.
Berisha nuk del në protestë për të rrëzuar Ramën. Del për të mbajtur gjallë veten. Llapaj nuk del për ndryshim. Del për të krijuar iluzion se “ka alternativë”, ndërkohë që shërben si amortizator i revoltës.
Të dy janë të dobishëm për Ramën.
Prandaj tolerohen. Prandaj lejohen. Prandaj riciklohen.
Frika nga rinia dhe studentët
Nëse do ta kishin seriozisht, do të ndiznin universitetet.
Studentët janë arma më e frikshme e çdo pushteti të kalbur. Prandaj opozita i trembet studentëve.
Kur studentët u ngritën, opozita i përçau.
Kur qytetarët e Kukësit protestuan, opozita u rreshtua faktikisht krah qeverisë. Jo krah njerëzve.
Sepse një revoltë reale del jashtë kontrollit.
Dhe kjo kastë politike nuk e kontrollon dot më.
Iluzioni i mbrojtjes nga Rama
Berisha, Llapaj dhe gjithë ky folklor opozitar dhe nga ana tjetër jetojnë me një ide të sëmurë:
se duke i dhënë Ramës gjithë pushtetet, ai do t’i mbrojë nesër kur të vijë stuhia.
Po kush po vjen?
SHBA. Partnerët ndërkombëtarë.
Dhe këtu nuk ka më asnjë iluzion. Vetëm qorrat dhe shurdhët nuk e kuptojnë se dosjet janë hapur, procesi ka nisur dhe pastrimi nuk do të jetë selektiv.
Ndryshimi nuk vjen nga këta
Le ta themi pa hipokrizi: ndryshimi nuk do të vijë nga Berisha, Llapaj apo ndonjë klon i tyre. Këta janë pjesë e problemit, jo zgjidhja.
SHBA ecën gjithmonë me plan rezervë pra ka planin A dhe plan B.
Ka ekzistuar një plan për bashkimin Shqipëri–Kosovë, i cili u dekonspirua nga politika dhe pushteti i korruptuar shqiptar nga të dyja anët. Për pasojë, u kalua në planin rezervë: jo bashkim shtetesh, por bashkim të faktorit shqiptar në Ballkan.
Kjo është ajo që dihet deri tani. Por ju nuk e dini këtë, se nuk keni nga ta dini!
Pra tani do zbatohet plani rezervë: riformatimi i faktorit shqiptar në Ballkan, jo përmes retorikës patriotike, por përmes interesit strategjik.
Pas viteve ’30, Shqipëria do të ketë rol kyç në sigurinë europiane. Parashikohet të jetë qendra e sigurisë për Europën falë edhe vendit strategjik. Dhe pikërisht për këtë arsye, politika e vjetër do të fshihet nga skena. Jo me fjalime. Me vendime.
Berisha, Rama, Meta – një paketë e vetme.
Koha e tyre ka mbaruar. Ata thjesht po shtyjnë agoninë.
Analistët mercenarë të fjalës
Ndërkohë, shqiptarët bombardohen çdo natë me “analistë” që nuk analizojnë, por lexojnë skenarin e ditës.
U thonë të shesin gënjeshtrën si të vërtetë, dhe e bëjnë pa skuqje.
U thonë të mbulojnë pisllëkun, dhe e bëjnë me zell.
Këta nuk janë zëra publikë. Janë mercenarë mediatikë.
Derisa shqiptarët të kuptojnë se “nesër” i opozitës është mashtrim i qëllimshëm, Edi Rama do të vazhdojë të qeverisë i qetë.
Jo se është i pathyeshëm, por sepse kundërshtarët e tij janë të rremë.





