GAZETA E LONDRES – Nicolas Sarkozy, ish-presidenti i parë francez që hyn në burg
Nicolas Sarkozy është bërë ish-presidenti i parë francez që dërgohet në burg, pasi nisi vuajtjen e një dënimi pesëvjeçar për konspiracion në financimin e paligjshëm të fushatës së tij zgjedhore me fonde nga diktatori libian, Muammar Gaddafi. Ai është udhëheqësi i parë francez që burgoset që nga Philippe Pétain në vitin 1945.
Sarkozy, 70 vjeç, i cili udhëhoqi Francën nga viti 2007 deri në 2012, ndodhet në burgun La Santé në Paris, në një qeli izolimi prej rreth 10 m². Ai ka apeluar dënimin dhe vazhdon të mohojë çdo fajësi, duke deklaruar: “E vërteta do të triumfojë. Sot nuk po burgosin një ish-president, por një njeri të pafajshëm.”
Dhjetëra mbështetës e përcollën me duartrokitje teksa largohej nga vila e tij në Paris, në shoqërinë e bashkëshortes, Carla Bruni-Sarkozy. Avokati i tij, Christophe Ingrain, konfirmoi se është paraqitur një kërkesë për lirimin e përkohshëm, por pritet që ai të qëndrojë në burg të paktën tre javë deri një muaj.
Në qelinë e tij, Sarkozy ka kushte bazike — një tavolinë, dush, televizor dhe të drejtën për një orë ushtrime në ditë. Për arsye sigurie, ai mbahet i izoluar nga të burgosurit e tjerë, kryesisht të dënuar për trafik droge ose terrorizëm.
Presidenti Emmanuel Macron, pas një takimi privat me Sarkozy-n, deklaroi se “nuk i takon atij të komentojë vendimet e drejtësisë”, por pranoi se pamja e një ish-presidenti në burg “prek ndjenjat e shumë francezëve”. Ministri i Drejtësisë, Gérald Darmanin, njoftoi se do ta vizitojë për të garantuar sigurinë e tij dhe funksionimin normal të institucionit.
Sarkozy ka qenë nën hetime të shumta që prej largimit nga posti në vitin 2012. Ai është dënuar më herët për përpjekje për ryshfet dhe pritet një vendim tjetër i gjykatës së lartë në nëntor për rastin e njohur “Bygmalion”, që lidhet me financimin e paligjshëm të fushatës së vitit 2012.
Në deklaratat e fundit para burgimit, ai tha se do të mbajë kokën lart dhe do ta përballojë dënimin me dinjitet, duke marrë me vete dy libra: Jeta e Jezusit nga Jean-Christian Petitfils dhe Konti i Monte Kristos nga Alexandre Dumas — një histori për padrejtësinë dhe hakmarrjen.





