GAZETA E LONDRES – Një reformë që ndryshon fytyrën e azilit: Britania mes humanitetit dhe frikës politike
Nga Kujtim VANI
Reforma më e madhe e azilit që Britania ka parë që nga Lufta e Dytë Botërore po shënon një moment historik – por jo domosdoshmërisht një moment krenarie. Shabana Mahmood, Sekretarja e Brendshme e qeverisë laburiste, e prezantoi paketën si domosdoshmëri kombëtare. Në realitet, kjo reformë është një ndryshim i thellë filozofik: nga mbrojtja e të drejtave të njeriut dhe integrimi, drejt një sistemi ku dyshimi është parimi kryesor.
Britania, një shtet që historikisht ka ofruar strehë për të përndjekurit, sot po ndjek hapur logjikën e “kufijve të fortë”, duke hequr themelet e vjetra të humanitetit institucional.
Statusi i refugjatit – nga strehë e qëndrueshme në një leje me afat skadence
Vendimi për ta bërë statusin e refugjatit të përkohshëm, vetëm 30 muaj, me rishikim të vazhdueshëm është më shumë se një ndryshim procedural.
Është një mesazh.
Një mesazh se edhe ata që ikin nga lufta, persekutimi apo tortura nuk konsiderohen më të sigurt në Britani.
Është si t’i thuash dikujt:
“Mund të qëndrosh, por mos u rehato shumë, sepse nesër mund të të kthejmë.”
Kjo prodhon frikë, jo siguri. Dhe frika nuk e ndërton integrimin.
Njëzet vite pritje për stabilitet, një standard që asnjë vend tjetër europian nuk e kërkon
Zgjatja e periudhës për të kërkuar qëndrim të përhershëm nga 5 në 20 vite është një shenjë tjetër e qartë se qeveria po lëviz drejt një modeli ku stabiliteti është luks, jo e drejtë.
Një individ që kontribuon ekonomikisht për dy dekada, punon, paguan taksa, ndërton familje dhe jetë këtu, sipas reformës, në fund të rrugës sërish nuk është i sigurt.
Asnjë vend tjetër i BE-së nuk ka një standard kaq të ashpër.
Në fakt, shumë vende nxisin integrimin e shpejtë, jo e zvarrisin.
Rruga “Work & Study” – integrim me detyrim ekonomik
Qeveria e shet si rrugë mundësie.
Në realitet, është një formë presioni:
“Punësohu menjëherë ose rrezikon të mos e shohësh familjen më në këtë vend.”
Vetëm refugjatët që hyjnë në punë ose arsim mund të ribashkojnë familjen. Kjo ka pasoja serioze për njerëzit me trauma, të sëmurët, viktimat e trafikimit apo ata që vijnë nga zonat e luftës.
Britania duhet të jetë një vend që i jep shans njerëzve të ringrihen, jo t’i ndëshkojë për plagët që i kanë detyruar të ikin.
Neni 8 i të drejtave të njeriut – një goditje në zemër të familjes
Ngushtimi i nenit 8 vetëm tek marrëdhëniet prind–fëmijë është një hap i rrezikshëm.
Kjo i heq ligjit fleksibilitetin human, kreativitetin që ka shpëtuar mijëra njerëz ndër vite.
Sepse jeta familjare nuk është një formulë matematikore.
Kushdo që ka emigruar e di se shpesh motra, vëllai, apo partneri i pamartuar janë po aq të rëndësishëm sa prindërit.
Apeli i vetëm – “shpejt e shpejt” nuk është drejtësi
Një apel i vetëm i konsoliduar tingëllon efikas, por në praktikë mund të jetë fatal.
Në një proces kaq kompleks, ku dëshmi nga vende të largëta kërkojnë kohë, ku traumat shpesh vonojnë deklarimet, ku dokumentet arrijnë me vonesë, kufizimi i të drejtave procedurale nuk sjell drejtësi, por gabime. Gabime që shpesh nuk korrigjohen kurrë.
Gabime që mund të kushtojnë jetën.
Shqiptarët mes grupeve më të ekspozuara
Nisma për rihapjen e dosjeve të personave që kanë përdorur identitete të rreme është pika më e nxehtë për komunitetin shqiptar. Shumë prej tyre kanë ndërtuar jetë të qëndrueshme, kanë familje, fëmijë, biznese dhe kontribute reale në shoqërinë britanike.
Tani, mbi kokat e tyre qëndron rreziku që çdo status, madje edhe shtetësia të vihet në dyshim.
Ky nuk është thjesht verifikim administrativ.
Është një rikthim i frikës së vjetër mes shqiptarëve të emigracionit:
“A do të zgjohem një ditë dhe të më thonë se gjithçka që kam ndërtuar mund të më merret?”
Shifrat flasin, por nuk tregojnë historinë e plotë
Po, hyrjet me varka kanë rënë ndjeshëm – nga 12,658 shqiptarë në 2022, në vetëm 626 këtë vit.
Po, kthimet janë rritur – 26,761 persona deri në qershor.
Por statistikat nuk tregojnë arsyet.
Nuk tregojnë historitë e njerëzve.
Nuk tregojnë realitetet e krimit, trafikimit dhe varfërisë që shtyjnë njerëzit drejt Kanalit.
Kur politikat bazohen vetëm te shifrat, jo te njerëzit, rezultatet janë gjithmonë të mangëta.
Britania ndodhet para një prove morale
Qeveria thotë se reformat janë të nevojshme për të ruajtur sistemin dhe për të shmangur abuzimet. Dhe në një masë, askush nuk e kundërshton këtë qëllim.
Por pyetja e madhe është: si e arrijmë këtë pa sakrifikuar humanitetin?
A duhet Britania të humbasë traditën e saj të gjatë si vend strehimi për të përndjekurit?
A duhet të kriminalizohen frika, arratisja dhe varfëria?
A duhet t’u vendoset një afat skadence njerëzve që kërkojnë siguri?
Reformat e reja mund të sjellin stabilitet administrativ.
Por rrezikojnë të shndërrohen në një kapitull të ri tensioni politik dhe vuajtjeje të heshtur.
Në fund, mbetet pyetja që politika nuk guxon ta bëjë:
A po ndërton Britania një sistem më të fortë – apo thjesht një zemër më të fortë?





