GAZETA E LONDRES – Patenta të Fluturon për Jetë Nëse Përsërit Shkeljen: Rrugët Shqiptare Hyjnë në Erën “Zero Tolerancë”
Nga 7 gushti, Kodi Rrugor shqiptar ka hyrë në një fazë të re. Për shoferët që përsërisin drejtimin nën efektin e alkoolit, toleranca praktikisht merr fund: nëse kapen sërish me mbi 0.5 g/l alkool në gjak, patenta mund të hiqet përgjithmonë. Por ndryshimet nuk ndalen te alkooli. Telefoni në timon, manovrat agresive, drejtimi pa patentë dhe shkeljet e përsëritura tashmë përballen me sanksione më të rënda.
Për vite me radhë, në rrugët shqiptare është krijuar një kulturë e rrezikshme: gjoba paguhet, patenta pezullohet përkohësisht dhe, pas pak kohësh, gjithçka rifillon. Pikërisht këtë cikël synojnë të ndërpresin ndryshimet e reja në Kodin Rrugor.
Mesazhi i Policisë Rrugore është i qartë: kush e kthen shkeljen në zakon, nuk mund të presë të njëjtën mundësi të dytë pafundësisht.
Drejtori i Policisë Rrugore, Perlat Vatoci, ka prezantuar ndryshimet, duke theksuar se objektivi nuk është mbledhja e gjobave, por parandalimi i aksidenteve dhe mbrojtja e jetës.
NJË GOTË MË SHUMË, NJË PATENTË MË PAK?
Ndryshimi më i fortë lidhet me alkoolin.
Nëse një drejtues është ndëshkuar më parë për drejtim nën ndikimin e alkoolit ose në gjendje të dehur dhe kapet përsëri duke drejtuar me më shumë se 0.5 g/l alkool në gjak, leja e drejtimit hiqet përgjithmonë.
Nuk bëhet më fjalë për një pezullim disa-mujor apo për një gjobë që mund të paguhet. Nuk ka më mundësi që drejtuesi të rikthehet në autoshkollë dhe të rifitojë patentën.
Kjo masë është ndërhyrja më e fortë e re ndaj atyre që, pasi janë ndëshkuar një herë, përsërisin të njëjtën sjellje.
Por pikërisht këtu lind edhe një pyetje e rëndësishme: a do të mjaftojë ashpërsia e ligjit nëse zbatimi i tij nuk është i njëjtë për të gjithë?
Sepse siguria rrugore nuk ndërtohet vetëm me gjoba dhe heqje patentash. Ajo kërkon kontroll të pandërprerë, drejtësi në zbatim dhe një kulturë të re të drejtimit të automjetit.
TELEFONI NË TIMON, EDHE PËR BICIKLETAT
Një tjetër ndryshim prek përdorimin e telefonit celular.
Sanksioni nuk kufizohet më vetëm te drejtuesit e automjeteve. Ai shtrihet edhe te drejtuesit e biçikletave, motomjeteve deri në 50 cc dhe monopatinave me motor.
Madje, ligji e ka ulur pragun për pezullimin e patentës. Nëse një drejtues ndëshkohet dy herë brenda të njëjtit vit për përdorimin e telefonit gjatë drejtimit, patenta pezullohet.
Më parë duheshin tre shkelje.
Në një vend ku telefoni është bërë pothuajse “bashkëudhëtar” i shoferit, ky ndryshim nuk është i vogël. Një sekondë shpërqendrim mund të jetë e mjaftueshme për të ndryshuar përgjithmonë jetën e dikujt.
60 MIJË LEKË PËR MANOVRAT E RREZIKSHME
Manovrat agresive, ndryshimet e shpeshta të korsisë pa sinjalizim, mosrregullimi i shpejtësisë në rrugë me fushëpamje të kufizuar dhe sjellje të tjera që rrezikojnë përdoruesit e rrugës do të ndëshkohen me gjoba nga 20 mijë deri në 60 mijë lekë.
Veçanërisht në zonat urbane, pranë shkollave, kryqëzimeve dhe degëzimeve, këto sjellje konsiderohen me rrezik të lartë.
Dhe kjo është ndoshta një nga pikat ku Kodi Rrugor duhet të shkojë përtej ndëshkimit.
Sepse problemi nuk është vetëm shoferi që ecën shpejt. Problemi është edhe shoferi që mendon se rruga është pistë gare, që futet në parakalim pa parë, që ndryshon korsi pa sinjalizuar dhe që beson se frenat e makinës do ta shpëtojnë gjithmonë.
PATENTA NUK BLERET MË ME DYFISHIN E GJOBËS
Një praktikë tjetër që tashmë merr fund është mundësia për të shmangur pezullimin e patentës duke paguar dyfishin e gjobës maksimale.
Deri më 7 gusht, në disa raste drejtuesi mund të paguante dyfishin e masës administrative maksimale dhe të shmangte pezullimin e lejes së drejtimit.
Tani kjo mundësi është hequr.
Nëse shkelja parashikon pezullim të patentës, patenta pezullohet.
Mesazhi është i drejtpërdrejtë: paratë nuk duhet të shërbejnë si rrugëdalje nga masa ndëshkuese.
TË RINJTË NË TIMON, NËN VËZHGIM MË TË RREPTË
Ndryshimet vendosin gjithashtu masa të posaçme për drejtuesit që kanë marrë patentën gjatë 24 muajve të fundit.
Për ta parashikohen rregulla të veçanta për drejtimin nën ndikimin e alkoolit dhe kufizime specifike të shpejtësisë.
Logjika është e thjeshtë: një drejtues i ri nuk ka ende përvojën e nevojshme për të përballuar situata të rrezikshme në të njëjtën mënyrë si një drejtues me vite eksperiencë.
PA PATENTË? PRIT DERI NË NJË VIT
Edhe drejtimi pa leje drejtimi është goditur me një masë të re.
Personat që kapen duke drejtuar automjet pa qenë të pajisur me patentë mund të përballen me shtyrjen deri në një vit të së drejtës për t’u pajisur me leje drejtimi.
Për të miturit, kjo periudhë shkon deri në dy vjet.
Policia Rrugore do të informojë DPSHTRR-në për personat e konstatuar, në mënyrë që masa të regjistrohet në sistem.
LIGJI MË I ASHPËR, POR TESTI I VËRTETË ËSHTË ZBATIMI
Ndryshimet e reja janë një hap drejt një sistemi më të ashpër të sigurisë rrugore.
Por ligji, sado i fortë të jetë, nuk mjafton.
Shqipëria ka nevojë për një ndryshim të kulturës së drejtimit: alkooli dhe timoni nuk mund të bashkëjetojnë, telefoni nuk duhet të jetë në dorën e shoferit, shpejtësia nuk është sport dhe rruga nuk është pronë private e askujt.
“Masat ndëshkuese nuk janë qëllimi ynë. Qëllimi ynë është parandalimi i shkeljeve, parandalimi i aksidenteve dhe, mbi të gjitha, mbrojtja e jetës”, është mesazhi i Policisë Rrugore.
Në fund të fundit, një patentë e hequr përgjithmonë mund të jetë një dënim i rëndë.
Por një jetë e humbur në rrugë është një dënim që nuk mund të korrigjohet më kurrë.





