SHQIPTARI NEWS – Debate dhe përplasje në mbledhjen e sotme të Kryesisë së grupit parlamentar të Partisë Demokratike. Në dy orë takim, ku do të diskutohej lidhur me strategjinë e opozitës dhe ndarjet në Komisionet parlamentare, kryefjalë është bërë edhe njëherë ish-kryeministri Sali Berisha. Gjithçka ka nisur nga deputeti Flamur Noka, ai që është përplasur me kryedemokratin Lulzim Basha, duke i kërkuar shpjegime lidhur me vendimin që ka marrë për përjashtimin e Sali Berishës.
Po ashtu, deputeti Noka e ka bërë përgjegjës Bashën në atë që ai e quan “ngulje thike pas shpine ndaj Sali Berishës”, ndërsa ka shtuar se vendimi duhet që të ishte marrë në përputhje me statutin e Partisë. Megjithatë akuzat e tij kanë marrë përgjigje nga numri një i partisë, i cili është shprehur se vendimi ishte marrë në bazë të disa infomacioneve për të cilat “doktori” ishte në dijeni por që nuk do të bëheshin kurrë publike për të tjerë.
Sipas, kryedemokrati informacionet që kanë çuar në marrjen e vendimit i ishin servirur edhe liderit historik të Partisë Demokratike.
Teksa debati mes tyre ka arritur kulmin, për të qetësuar “gjakrat” ka ndërhyrë nënkryetarja Jorida Tabaku. Kjo e fundit ka kërkuar që në mbledhje të vijohet e të flitet për Komisionet parlamentare dhe çështje të tjera organizative. Por përgjigje i ka kthyer Basha, i cili ka këmbëngulur që debati të vijojë në prani të të tjerëve, për të dërguar kështu një mesazh për ta. Basha theksoi në formë paralajmërimi se nuk do të lejonte asnjë grupim anti-amerikan brenda PD-së.
Pas si lanë pas debatin për Berishën, në mbledhjen e sotme gjithashtu u vendos që Agron Gjekmarkaj të jetë drejtuesi politik i PD-së në Lezhë, për të zëvendësuar Mark Markun, i cili dha dorëheqjen nga mandati i tij. Ndërsa Enkelejd Alibeaj, i cili dha një deklaratë të shkurtër për gazetarët pas takimit, shtoi se ndryshimet kushtetuese në lidhje me procesin e Vettingut, opozita do të do të bëjë gjithçka për të larguar Ramën. Ndryshimet kushtetuese për Vettingun do të sjellin dhe përplasjet e “rrëmimin” e parë për vota në Kuvend, pasi Partinë Socialiste do të kërkojë me ngulm bashkëpunimin me demokratët pasi i duhen 94 kartona jeshilë, të cilat nuk i ka.
DEBATI NË MBLEDHJE:
Flamur Noka: Pa i dhënë drejtim çështjes së Berishës nuk mund të diskutohet asgjë për aksionin opozitar! Me ketë vendim për Berishën ishte thike pas shpine! T’i je përgjegjës që i ke ngulur një thikë pas shpine Sali Berishës. Ti pavarësisht kësaj, ke thënë se është vendimi i jetës time. Kryesorja është që t’i japim zgjidhje çështjes Berisha dhe më pas vendosim për komisionet dhe strategjinë në parlament. Vetëm vendimi i anëtarësisë mban PD të Bashkuar. Ke shkelur statutin, vendimin duhet ta marrë Kuvendi Kombëtar. Ne të bashkuar dhe nuk e rrëzuam dot Ramën, si do ja bëjmë tani që e ke përçarë anëtarësinë? Ke marrë vendim anti statutor me Kushtetutën e partisë. Vetëm vendimi i anëtarësisë mban PD të bashkuar. Çdo vendim në kundërshtim me vullnetin e shumicës anëtarësisë e përçan partinë. Me këtë vendim e ke fut PD-në në një rrrokullim pa kthim.
Lulzim Basha: Vendimi për Sali Berishën nuk ka më kthim pas! Pastaj ka një keq lexim që bëhet ose interpretohet ne media. Doktori nuk është përjashtuar përfundimisht, nuk është linçuar. Ndaj tij janë thënë fjalët më të mirë. Por siç ka deklaruar edhe vetë ai do të ndjekë procesin gjyqësor. Dhe derisa e vërteta të dalë në shesh do të qëndroj jashtë grupit. Ai nuk është përjashtuar as nga strukturat që të ishte nevoja për mbledhjen organeve të PD. Nuk është vendimi jetës time, por vendimi më i vështirë i jetës time… S’ka për të pasur grup anti-amerikan në logon e PD. Jam marrë edhe tre muaj për zgjidhjen e këtij konflikti, nuk ka qenë vendim i marrë në minutat e fundit. Vendimi është marrë për të mos përçare partinë dhe demokratët. Kërkesa për Doktorin nuk ka ardhur nga zyrtarë të nivelit të tretë apo të rangut të ulët. Ka ardhur nga kupola e shtetit amerikan. Informacionet i di unë siç i di shumë mirë edhe doktori dhe që ju s’keni për ti marrë vesh kurrë.
Lulzim Basha: Vendimi nuk ka më kthim pas. Në PD nuk do te lejoj dhe nuk do të ketë grupime anti-amerikane. Ky është vendimi në interes të demokratëve





