KMA NEWS / Komisioni i Posaçëm për reformën në Drejtësi nisi pasditen e së hënës punën e ndërprerë në pritje të rekomandimeve të Komisionit të Venecias. Kryetari Fatmir Xhafaj tha në fillim të takimit se 12 marsi ishte dita kur mbërrin raporti përfundimtar i këtij komisioni.
“Vlerësimet e dhëna nga Venecia janë të shprehura qartazi, shpresoj që të gjitha palët ta lexojnë atë objektivisht për ta përmirësuar këtë draft edhe më tej dhe për t’i dhënë shqiptarëve reformën në drejtësi” – tha Xhafaj.
Por nënkryetari Eduard Halimi ka vënë në dyshim thelbin e projektit për reformën në drejtësi dhe ka paraqitur 10 pika që kapërcejnë vërejtjet e Komisionit të Venecias.
Demokratët nuk janë dakord me ngritjen, ekzistencën dhe përbërjen e Këshillit të Emërimit.
Opozita kundërshton skemën institucionale dhe procesin e emërimit të funksionarëve në sistemin e drejtësisë si shumë të komplikuar që nuk kontrollon balancat dhe nuk garanton as pavarësinë.
PD kundërshton edhe strukturën e Gjykatës së Lartë, që ndahet në dy të tilla, ajo për çështjet civile dhe penale dhe tjetra ajo Administrative. Partia Demokratike thotë se struktura e Gjykatës së Lartë nuk u takon ekspertëve, por politikës.
Lidhur me këtë institucion, opozita kundërshton edhe emërimin e gjyqtarëve nga jashtë sistemit, që e konsideron si një çështje që mund të shfrytëzohet politikisht.
Partia Demokratike nuk është dakort me ndërprerjen e mandateve për organet kushtetuese.
PD mbështet procesin e vlerësimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve, i ashtuquajturi veting, por kundërshton strukturën dhe mohimin e ankimimit për gjyqtarët dhe prokurorët.
Opozita ka rezerva edhe mbi procesin e emërimit dhe funksionet e Inspektoriatit të Lartë të Drejtësisë, ku procesin e zgjedhjes me 3/5 për një mandat 9-vjeçar të Inspektorit të Lartë e politizon këtë institucion dhe e vendos në varësi të maxhorancës.
PD kundërshton përbërjen e Tribunalit Disiplinor. Opozita thotë se pavarësisht se reflekton konstatimet e opinionit të ndërmjetëm, por anëtarët janë në kushtet e konfliktit të interesit dhe këtë PD e sheh më shumë si mundësi për korporatizimin e sistemit sesa për kapjen e tij politike. Opozita thotë lë shteg për abuzimin.
Partia Demokratike nuk është dakord me formulën e emërimit të gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese.
PD kundërshton përfshirjen në sistem si prokurorë dhe gjyqtarë të individëve që nuk kanë përfunduar shkollën e Magjistraturës. “Duhet të ketë zero hyrje jashtë Magjistraturës”, thonë demokratët.
Opozita nuk është dakord me mënyrën e zgjedhjes së pesë anëtarëve të politikës në Këshillin e Lartë të Prokurorisë dhe në Këshillin e Lartë Gjyqësor.
Pas kësaj, fjalën e mori Pandeli Majko. Ai akuzoi opozitën se po bën lojë me reformën në drejtësi dhe si i mungon vullneti për këtë.
“Me këto 10 pika që ngrini ju nuk ka reformë në drejtësi. Tani kë duhet të besojmë ne, kryetarin e PD që del nga oborri i partisë dhe duke tundur draftin e Venecias thotë që kjo është zgjidhja, apo ju që na dilni me 10 pika këtu?! Megjithatë, unë dua t’ju falënderoj ju që na bëtë të qartë për herë të parë se për çfarë nuk jeni dakord”, – deklaroi Majko.
Ndërkohë, përmes Spartak Brahos, Lëvizja Socialiste për Integrim u shfaq optimiste për gjetjen e një konsensusi politik dhe u dha mbështetjen e LSI-së disa shqetësime të demokratëve. Partia Demokratike këmbënguli deri në fund që vërejtjet e saj të nisin shqyrtimin menjëherë përmes një procesi politik në Komisionin e Posaçëm, por socialistët kërkojnë që ndasitë të përafrohen në nivel ekspertësh.





