KMA NEWS / Policia e Shtetit dha detaje mbi arrestimin e personit që tentoi të dërgojë armë kallashnikov drejt Britanisë së Madhe nëpërmjet një dërgese postare. Siç dihet dërgesa u zbulua në Rinas dhe menjehër nisën hetimet.
Policia bënë me dije se Seksioni për Trafiqet e Paligjshme në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës, Drejtorinë për Narkotikët dhe Trafiqet në Policinë e Shtetit si dhe me Prokurorinë për Krimet e Rënda finalizuan Operacionin antitrafik i koduar “DELIVERY”.
Policia njofton se u vu në pranga Saimir Çullhaj, 32 vjeç, banues në Shijak, i dënuar më parë për “Trafikim të narkotikëve” si dhe u shpall në kërkim N.F., 47 vjeç, banues në Durrës.
Sipas policisë është dokumentuar se në datë 23 gusht rreth orës 18:00 të akuzuarit kanë bërë dërgimin e 3 pakove me një prej agjencive të dërgesave postare, në të cilat janë konstatuar gjatë skanimit në Aeroportin “Nënë Tereza” se brenda ryre kishte armë..
Brenda pakove janë konstatuar tre armë zjarri automatik model 56, të çmontuara. Pakot kishin si destinacion Mbretërinë e Bashkuar.
Policia thotë se në momentin e kapjes së Saimir Çullhaj, në trupin e tij u gjet dhe u sekuestrua një sasi prej 220 gramë lëndë e dyshuar si narkotike e llojit mariuanë “çokollatë”.
Po kështu gjatë kontrollit në banesën e shtetasit N.F janë gjetur dhe sekuestruar në cilesinë e provës materiale një sasi prej 4.5 kilogramë lëndë narkotike e ambalazhuar në një thes, si dhe 32 bimë narkotike të dyshuar si “Cannabis Sattiva”.
Policia thotë se po punohet për kapjen e personit në kërkim N.F dhe dokumentimin e mëtejshëm ligjor për të arritur në arrestimin e bashkëpunëtorëve të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale. Materialet do ti kalojnë Prokurorisë për Krimet e Rënda Tiranë për hetime të mëtejshme .
















