SHQIPTARI NEWS – Presidenti amerikan Biden në Poloni: Shikon nga afër krizën e refugjatëve ukrainas
Presidenti amerikan Joe Biden përshëndeti Poloninë të premten për pritjen e më shumë se 2 milionë refugjatëve ukrainas që i janë larguar sulmit të forcave ruse. Presidenti u takua me ekspertë humanitarë në terren për të parë nga afër se çfarë do të nevojitet për të zbutur vështirësitë në rritje.
Biden tha se kishte shpresuar të afrohej edhe më pranë kufirit, por nuk u lejua për shkak të shqetësimeve të sigurisë. Megjithatë, ai tha se donte të vizitonte Poloninë për të nënvizuar se ndihma që po ofron është me “efekte të mëdha” pasi Evropa po përjeton krizën më të madhe të refugjatëve që nga Lufta e Dytë Botërore.
“Nuk po ndalet”, tha Presidenti Biden për shkatërrimin në Ukrainë. “Është si diçka nga një film fantastiko-shkencor.”
Presidenti Biden vizitoi gjithashtu disa nga mijëra trupat amerikane që janë dërguar pranë kufirit të Polonisë për të ndihmuar me emergjencën humanitare dhe për të forcuar praninë ushtarake amerikane në krahun lindor të NATO-s. Më shumë se 3.5 milionë ukrainas janë larguar nga vendi që nga pushtimi i 24 shkurtit, duke përfshirë rreth 2.2 milionë në Poloni, sipas Kombeve të Bashkuara.
Angazhimi ushtarak amerikan në Poloni u bë i dukshëm sapo u ul Air Force One, duke kaluar pranë njësive të raketave Patriot. Më shumë pajisje, duke përfshirë kamionë të rëndë dhe pajisje të tjera të lyera me kamuflazh, ishin të pranishme në aeroport. Një qendër konventash aty pranë shërben si bazë për Divizionin e 82-të Ajror të Ushtrisë Amerikane.
Presidenti Biden mbërriti sot në Poloni, pas një takimi në Bruksel me Presidenten e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen.
Dy udhëheqësit njoftuan formimin e një grupi pune të përbashkët për të reduktuar varësinë e Evropës nga karburantet fosile ruse.
Presidenti Biden tha se Presidenti rus Vladimir Putin ka përdorur të ardhurat që ka siguruar nga shitja e energjisë për të furnizuar makinerinë e tij të luftës në Ukrainë. Ai theksoi se populli amerikan nuk do të ishte pjesë e subvencionimit të luftës brutale dhe të pajustifikuar të Vladimir Putinit kundër popullit ukrainas.
Nga ana e asaj zonja Von der Leyen tha se Bashkimi Evropian mbetet i vendosur në kundërshtimin e luftës brutale të Rusisë, e cila siç tha ajo, do të jetë një dështim strategjik për Presidentin Putin.
Këtë vit Shtetet e Bashkuara do t’i japin Evropës 15 miliardë metër kub gaz natyror të lëngshëm.
Gjatë qëndrimit në Poloni, Presidenti Biden do të vizitojë Rzeszów-in (Zhezhovin) një qytet në veri të vendit, pranë kufirit me Ukrainën. Polonia, një vend i NATO-s, ka marrë rreth 2 milionë refugjatë ukrainas.
Të enjten në mbrëmje vonë, drejtori i përgjithshëm i Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike Rafael Mariano Grossi, tha se sipas autoriteteve ukrainase forcat ushtarake ruse po bombardonin pikat e kontrollit në Slavutiç, një qytet ku jetojnë kryesisht ata persona që punojnë në centralin bërthamor të Çernobilit, që ndodhet aty pranë. Zoti Grossi shtoi se situata po rrezikon jetën e tyre dhe po e bën të pamundur rotacionin e mëtejshëm të personelit në impiant.







