SHQIPTARI NEWS – Presidentja e Komisionit Europian, Ursula Von Der Leyen është pritur nga kryeministri Edi Rama me një ceremoni shtetërore në pallatin e Brigadave. E veshur me një xhaketë ngjyrë rozë, pa maskë, presidentja e KE-së, u takua dhe me anëtarët e kabinetit qeveritar të cilët ishin në pritje të saj. Von der Leyen zgjodhi që ta përshëndeste Ramën me dorë në zemër, për shkak të masave anti-Covid.
Pas takimit në Pallatin e Brigadave me kryeministrin Edi Rama, Presidentja e Komisionit Europian, Ursula Von der Leyen ka dhënë një mesazh përmes një postimi në ‘Twitter, Leyen shkruan se e ardhmja e Shqipërisë është në BE e se vendi ynë ka përparuar në reformat në drejtësi.
POSTIMI:
E kënaqur që fillova vizitën time në Ballkanin Perëndimor në Shqipëri. Mesazhi im është i qartë: e ardhmja e Shqipërisë është në BE. Komisioni Europian i qëndron fort këtij angazhimi. Me përparim të mirë në reformat në drejtësi, Shqipëria ka arritur qartë. Tani BE -ja duhet të bëjë gjithashtu.
Vizita një ditore e presidentes së KE-së, vjen në kuadër të turit të saj në gjashtë vende të Ballkanit Perëndimor. Ditën e nesërme ajo do të jetë e pranishme dhe në Kosovë e më pas në shtetet e tjera të cilat janë planifikuar si pjesë e turit.
Presidentja e Komisionit Europian Ursula Von der Leyen nis sot nga Tirana vizitën me 6 vendet e Ballkanit Perëndimor. Ajo ka ndarë në ‘Twitter’ mesazhin për nisjen e turit në 6 vendet, dhe i pari është Tiranë. Von der Leyen thotë se mesazhi i saj është i qartë se ndajmë një të ardhme të përbashkët evropiane.





