SHQIPTARI NEWS – Këshilli i Ministrave miratoi një ndryshim në ligjin “Për festat zyrtare” në vend, sipas të cilit data 19 shtator që është Dita e Lumturimit të Nënë Terezës, zëvendësohet me datën 5 shtator, që është Dita e Shenjtërimit të Nënë Terezës, Shën Tereza.
5 shtatori i 2016-s shënoi në kalendarin Apostol Ditën e Shenjtores shqiptare, Nënë Tereza e Kalkutës.
Nënë Tereza ose Shenjt Tereza e Kalkutës lindi në Shkup në vitin 26 gusht 1910 në një familje shqiptare. Emri i saj i lindjes është Anjezë Gonxhe Bojaxhiu. Ajo vizitoi Shqipërinë për herë të parë në gusht të vitit 1989.
Shenjt Tereza, por që në mbarë botën thirret “Nënë Tereza”, një grua me fytyrë të imët, të rrudhur, të plakur, pushtoi imagjinatën e botës me përkushtimin e saj ndaj të varfërve, veçanërisht në qytetin indian të Kalkutës, ku ajo fillimisht themeloi strehimoren e saj të parë për të pritur me mijëra “njerëz të trotuar”.
Shenjt Tereza është shembull i jashtëzakonshëm i misionit të heshtur e të pareshtur të bamirësisë, dëshmitare e paharrueshme e dashurisë, që gjeti shprehjen e vet konkrete në shërbimin e vazhdueshëm ndaj vëllezërve e motrave më të varfër e më të braktisur të botës, pa dallim e pa përjashtim race, feje, kombësie apo përkatësie shoqërore
Për herë të parë letra shqip e Nënë Terezës, shkruar në 1989
Tre dorëshkrime të Nënë Terezës, përfshi një letër e cila vjen për herë të parë në origjinal për sytë e publikut, u ekspozuan në përvjetorin e shenjtërimit të saj në COD, nga Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave dhe Agjencia për Dialog dhe Bashkëqeverisje.
Letra që ekspozohet për herë të parë në origjinal daton në tetor 1989 dhe përmban pasazhe shqip. Ajo ka qenë në fondin e papërpunuar të Ramiz Alisë dhe u evidencua gjatë procesit të përpunimit vetëm pak ditë më herët.
“Zemra jeme ka ni dishir të madhe me ardh në Shqipni”, shkruante Nënë Tereza në letrat e saj, dorëshkrime të cilat ruhen në Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave.
Drejtori Ardit Bido tha se fjalët e saj në gjuhën amtare përmbajnë simbolikën e mbrujtjes së traditës së kombit nga vjen, që i mundësoi të bëhej përtej kombeve shenjtorja e të varfrit dhe të vobektit, e humanizmit dhe e dhembshurisë, e mbi të gjitha Shenjtorja e dashurisë së njeriut ndaj njeriut.
“Çdo njeri ka nevojë për respekt, për dashuri pavarësisht nga situata e tij. Çdo njeri ka një dinjitet të pazëvendësueshëm. Ky është besoj unë kontributi i madh i saj dhe prandaj ka merituar çmimin Nobel për Paqen”, u shpreh Imzot George Frendo.
Kryeministri Edi Rama tha se trashëgimia që Shën Tereza na la dhe porosia e saj për të ndezur një qiri në vend se të mallkojmë errësirën, janë një burim drite e frymëzimi për të lënë gjurmën tonë në rrugën e kësaj jete që na është dhënë përkohësisht.





