GAZETA E LONDRES – Takimi dypalësh Rama Sunak në Londër: Të kënaqur që rreth 800 emigrantë të paligjshëm u kthyen në Shqipëri që nga dhjetori
Kryeministri Edi Rama u takua sot me homologun britanik Rishi Sunak në selinë e këtij të fundit në Downing Street, në kuadër të një turneu 3 ditorë të kryeministrit shqiptar në Londër.
Të dy kryeministrat shprehën ambicien e tyre të përbashkët për të zgjeruar dhe thelluar marrëdhëniet midis Mbretërisë së Bashkuar dhe Shqipërisë, duke bashkëpunuar në adresimin e kërcënimeve globale dhe rajonale, si dhe për forcimin e partneritetit dypalësh. Ata vunë në dukje mundësi të rëndësishme për të rritur lidhjet tregtare, investimet dhe teknologjinë. Kryeministri britanik Rishi Sunak vlersoi sërish kontributin e rëndësishëm të komunitetit shqiptar që jetojnë e punojnë në Britaninë e Madhe në jetën britanike.
Si dy aleatë të NATO-s, anëtarë të Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe partnerë të ngushtë, udhëheqësit riafirmuan gjithashtu angazhimin e tyre për të punuar së bashku për të mbrojtur sigurinë e qytetarëve, për të mbrojtur demokracinë dhe për të promovuar të drejtat e njeriut, duke përfshirë një përgjigje të fuqishme ndërkombëtare ndaj agresionit rus. Gjithashtu do të përfshihet edhe ndihmë për mbrojtjen kibernetike shqiptare për t’u mbrojtur nga kërcënimet në internet.
Kryeministri Sunak dhe kryeministri Rama u angazhuan për të thelluar punën në kuadër të Komunikatës së Përbashkët të Task-Forcës të rënë dakord në dhjetor, për të çuar përpara prioritetin e përbashkët në trajtimin e migracionit të paligjshëm dhe bandave kriminale të kontrabandës së njerëzve.
Ndër të tjera ata diskutuan rritjen e bashkëpunimit operacional, duke përfshirë komunikimet e përbashkëta për të penguar njerëzit të udhëtojnë në mënyrë ilegale, si dhe marrëveshje të mëtejshme për ndarjen e të dhënave dhe pasaportave. Udhëheqësit përshëndetën përparimin e deritanishëm, me rreth 800 emigrantë të paligjshëm që u kthyen në Shqipëri që nga dhjetori, si dhe veprimet kundër krimit të organizuar dhe udhëzimet e reja të Mbretërisë së Bashkuar që përcaktonin Shqipërinë një vend të sigurt.
Për bashkëpunimin në drejtësinë penale, udhëheqësit përshëndetën punën e përbashkët të vazhdueshme për ekstradimet, ndjekjet penale dhe aftësitë e mjekësisë ligjore, si dhe largimin e qindra të burgosurve sipas marrëveshjeve ekzistuese. Ata ranë dakord që një ekip i përbashkët MB-Shqipëri do të kryejë një vlerësim të kapaciteteve të burgjeve të Shqipërisë, që do të përfundojë deri në fund të prillit me qëllim kthimin e të gjithë shtetasve shqiptarë të kualifikuar në sistemin e burgjeve në Mbretërinë e Bashkuar.
Së fundi, kryeministrat mirëpritën përparimin në bashkëpunimin e biznesit dhe universiteteve, duke përfshirë hapjen e Dhomës së re Britanike të Tregtisë në Shqipëri, një dyfishim të tregut për mbështetjen e MB për financimin e eksporteve për Shqipërinë në 4 miliardë paund, për të lehtësuar investimet, si dhe thellimin e lidhjeve mes universiteteve të Mbretërisë së Bashkuar dhe Shqipërisë.














