KMA NEWS / Në përfundim të mbledhjes së grupit parlamentar të LSI-së, me praninë edhe të ambasadorëve Donald Lu dhe Romana Vlahutin, ka folur për mediat kryetari i grupit, Petrit Vasili.
Ndonëse shpesh është përfolur në media se reforma në drejtësi nuk është se dëshirohet shumë prej LSI-së, Vasili u shpreh se kjo forcë politike është pa asnjë ekuivok në mbështetje të draftit të hartuar nga Komisioni i Venecias. Vasili kërkoi përmbylljen e këtij procesi.
“Jemi të qartë se duhet mbyllur, nuk ka asnjë moment të pakapërcyeshëm dhe asistenca e ndërkombëtarëve është ndihmë e jashtëzakonshme për kalimin e ngërçeve”, tha Vasili.
Njësoj si mbledhja e grupit të PS-së edhe mbledhja e grupit parlamentar të LSI-së u zhvillua me dyer të mbyllura. Nesër ambasadorët Lu e Vlahutin do të jenë në mbledhjen e grupit të PD-së.





