GAZETA E LONDRES – Rreth 500 të arrestuar në protestën “Veprimi për Palestinën” në Londër
Policia Metropolitane arrestoi gati 500 persona gjatë protestave në Londrën qendrore, në mbështetje të grupit të ndaluar Palestine Action.
Sipas autoriteteve, 488 nga arrestimet u bënë për mbështetje të një organizate të ndaluar, me pjesëmarrës që varionin në moshë nga 18 deri në 89 vjeç. Protesta, e zhvilluar kryesisht në Sheshin Trafalgar, u organizua nga grupi “Mbrojni Juritë tona”, i cili tha se rreth 1,000 persona morën pjesë në demonstratë.
Ngjarja u mbajt pavarësisht thirrjeve të qeverisë dhe policisë për ta shtyrë atë, pas sulmit vdekjeprurës ndaj një sinagoge në Mançester. Kryeministri Sir Keir Starmer u kërkoi protestuesve të “respektonin pikëllimin e hebrenjve britanikë”, ndërsa grupet hebraike e cilësuan protestën si të papërshtatshme.
Zëdhënësja e organizatës, Zoe Cohen, tha se si hebreje ajo “vajton për viktimat në sinagogë, por edhe për qindra mijëra palestinezë që kanë humbur jetën në Gaza”, duke shtuar se “dhembshuria nuk duhet të jetë e njëanshme”.
Policia tha se 1,500 oficerë u angazhuan për ruajtjen e rendit, ndërsa shumica e arrestimeve ndodhën për mbajtje pankartash ose pjesëmarrje në një organizatë të ndaluar. Amnesty International kritikoi arrestimet si shkelje të të drejtave të njeriut.
Qeveria britanike ndaloi Palestine Action në korrik, pas një sërë aksionesh kundër bazave ushtarake dhe kompanive të lidhura me industrinë e armëve. Grupi ka apeluar vendimin për ndalim.
Sekretarja e Brendshme Ivet Coper i qëndroi besnike vendimit të saj për të ndaluar Veprimin për Palestinën, i cili sipas saj ishte “i përfshirë në sulme të dhunshme” dhe “dëme të mëdha kriminale kundër infrastrukturës së sigurisë kombëtare”.





