GAZETA E LONDRES – Rruga e Rinasit vishet me flamujt e BE-së, Tirana pret Samitin e Berlinit
Dita e hënë do të jetë historike për Tiranën, pasi për herë të parë do të zhvillohet një samit i përmasave të tilla, ku do të marrin pjesë të gjithë liderët europianë.
Tirana ka nisur përgatitjet për këtë ngjarje historike, ku flamuj të Bashkimit Evropian shihen kudo nëpër rrugët e Tiranës dhe në rrugën kryesore të aeroportit ndërkombëtar “Nënë Tereza” në Rinas.
Përgatitjet për këtë samit po vijojnë. Në samit deri më tani është konfirmuar pjesëmarrja e Kancelarit Gjerman, Olaf Scholz, presidenti Francës, Emmanuel Macron, si edhe Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen.
Ja agjenda e Samitit:
Në samitin e Procesit të Berlinit, do të marrin pjesë të gjithë liderët e vendeve të Ballkanit, të shteteve anëtare të Bashkimit Europian dhe përfaqësuesit më të lartë të BE-së.
Ky lloj samiti i një rëndësie të veçantë mbahet për herë të parë jashtë kufijve të BE-së.
Qeveria Shqiptare ka zbuluar edhe axhendën e këtij samiti.
Në orën 11:00 do të jetë pritja e liderëve.
Në orën 11:30 fjala hapëse.
Në orën 12:00 nis sesioni i punës, integrimi i rajonit në tregun e përbashkët europian dhe përmirësimi i konvergjencës me BE.
Në orën 13:30 fotografia familjare.
Në orën 15:30 nis sesioni i dytë i punës, mbështetja e tranzicionit të gjelbër dhe dixhital në Ballkanin Perëndimor.
Në orën 16:45 do të përurohet Kolegji i Europës në Tiranë.
Në orën 17:30 do të nënshkruhet marrëveshja rajonale për njohje reciproke të kualifikimit profesional.
Në orën 17:45 konferenca e përbashkët për shtyp.






