GAZETA E LONDRES – Sali Berisha përballet me drejtuesin e SPAK-ut në Parlament, debatet mbeten të tensionuara
Të hënën, Parlamenti do të dëgjojë raportimin e institucioneve të pavarura, duke shënuar përballjen e parë mes kryetarit të Partisë Demokratike, Sali Berisha, dhe drejtuesit të SPAK, Altin Dumani, që nga momenti kur SPAK ngriti akuzën për korrupsion ndaj liderit të opozitës.
Drejtuesi i SPAK-ut, Altin Dumani, do t’u përgjigjet pyetjeve të deputetëve për veprimtarinë e këtij institucioni. Mbetet për t’u parë se cilat pyetje do t’i drejtojë atij kryetari i PD-së, i cili gjatë dy viteve të fundit ka artikuluar akuza të forta ndaj Dumani. Seanca ngjall pritshmëri edhe për mënyrën e zhvillimit të saj, pasi herën e kaluar kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, vendosi që deputetët të mos lexonin pyetjet drejtpërdrejt, duke i dërguar më parë me shkrim, vendim që tensionoi situatën dhe çoi Partinë Socialiste të votojë për mbylljen e seancës.
Partia Demokratike ka dërguar një letër kryeparlamentarit Peleshi, duke kërkuar që deputetët demokratë të kenë të drejtën të lexojnë vetë pyetjet për drejtuesit e institucioneve, në përputhje me rregulloren.
Përveç SPAK-ut, të hënën do të raportojnë edhe Prokurori i Përgjithshëm, Inspektori i Lartë i Drejtësisë, Këshilli i Lartë i Prokurorisë dhe Këshilli i Lartë Gjyqësor. Për secilin raportim, deputetët kanë në dispozicion 150 minuta për diskutime.
Në të njëjtën seancë, Parlamenti do të votojë edhe ngritjen e komisionit për reformën territoriale dhe reformën zgjedhore, që pritet të jetë momenti i vetëm konsensual i ditës. Partia Socialiste ka pranuar kërkesën e opozitës për barazi anëtarësh në të dy komisionet, dhe deputetët demokratë do të votojnë pro.





