KMA NEWS / Protestave të ish të përndjekurve kundër emërimit të Gramoz Ruçit dhe Fatmir Xhafës, njëri në krye të Kuvendit dhe tjetri Ministër i Brendshëm iu është përgjigjur Servet Pëllumbi. Sipas tij, pretendimi i opozitës nuk qëndron pasi 27 vite pas ndryshimit të sistemit, nuk flitet më për antikomunizëm.
“Në asnjë vend të Europës Lindore nuk flitet më për antikomunizëm, pas 27 vjetësh nga ndryshimi i sistemit dhe konsolidimi i demokracisë. Tezat për antikomunizëm tregojnë varfërinë e ideve, mendimeve dhe qëndrimeve të Partisë Demokratike, në një kohë që pretendon se drejtohet nga një lidership i ri. Pas 27 vitesh nuk mund të bëhet fjalë për antikomunizëm në Shqipëri”, deklaroi për “Panoramën” Pëllumbi.
Ka qenë Edi Rama më herët që mbrojti kandidaturën e Ruçit për kryetar Kuvendi. Sipas tij, zërat kundër Ruçit janë hipokrizi që bëhen nga spiunë qelish.
“Të përndjekurit s’janë disa spiune birucash qe marrin përsipër të flasin publikisht në emër të ish-të përndjekurit politik, është një shtresë që ka disa figura të respektueshëm e s’kanë lidhje me zërat që financohen.
Kush ndjehet i provokuar nga zgjedhja e Gramozit dhe s’është ndjerë me Saliun 27 vjet, për mua është thjesht një hipokrit që s’meriton asnjë respekt kaq e thjeshtë është kjo histori dhe vazhdimi i kësaj marrëzie edhe në nivelin e opozitës me komunizma dhe antikomunizma, kur jemi në 2017 është jo vetëm shprehje e boshllëkut të madh që PD duhet ta mbushë me vizionin për të ardhmen me programin për të qenë një alternativë me sfida për t’u përballu me konkurrentin që jemi ne, përndryshe kjo është një budallëk i madh”, tha Rama.





