GAZETA E LONDRES – SHBA-të bombardojnë centralet bërthamore të Iranit
Një zhvillim dramatik në Lindjen e Mesme ka tronditur opinionin publik global. Të shtunën mbrëma, Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë ndërmarrë një sulm të drejtpërdrejtë ndaj infrastrukturës bërthamore të Iranit, duke shënjestruar tre objektet më të rëndësishme të këtij vendi. Presidenti amerikan Donald Trump e konfirmoi operacionin përmes një deklarate në rrjetin e tij social, duke e përshkruar si një veprim vendimtar për ndalimin e kërcënimeve bërthamore. Në vijim, një pasqyrë e plotë e zhvillimeve dhe reagimeve ndërkombëtare.
Të shtunën mbrëma, Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë kryer një sulm ajror të koordinuar ndaj tre impianteve bërthamore iraniane: Fordow, Natanz dhe Esfahan.
Presidenti amerikan, Donald Trump, konfirmoi lajmin përmes rrjetit të tij social Truth, duke deklaruar:
“Kemi përfunduar me sukses sulmin ndaj tre objekteve bërthamore. Të gjithë avionët tanë janë larguar nga hapësira ajrore iraniane dhe janë në rrugë të sigurt drejt bazave. Fordow, objekti kryesor, është goditur me një ngarkesë të plotë bombash. Asnjë ushtri tjetër në botë nuk do të kishte mundur ta bënte këtë. Tani është koha për paqe.”
Pas kësaj deklarate, një llogari e lidhur me Gardën Revolucionare iraniane publikoi në platformën X:
“Tani ka nisur lufta”, duke e konsideruar sulmin amerikan si një akt të mirëfilltë lufte.
Ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araghchi, e cilësoi sulmin e SHBA-së si “një sjellje kriminale” që do të ketë “pasoja të përjetshme”.
Në një fjalim të shkurtër nga Shtëpia e Bardhë, Trump sqaroi se sulmi kishte për qëllim ndalimin e kërcënimit bërthamor nga “shteti i parë që sponsorizon terrorizmin”.
Ai deklaroi se objektet bërthamore iraniane janë “thuajse plotësisht të shkatërruara” dhe i bëri thirrje Iranit të zgjedhë paqen, duke përmendur viktimat e shumta që, sipas tij, janë shkaktuar nga veprimet iraniane gjatë dekadave.
Presidenti amerikan theksoi se ndaj objektit të Fordow, të njohur si “mali bërthamor”, avionët B-2 të Forcave Ajrore Amerikane hodhën bomba “bunker-buster” (sipas CNN, 14 të tilla), me peshë 14 ton secila. Ndërkohë, ndaj impianteve të Natanz dhe Esfahan janë përdorur 30 raketa Tomahawk, të lëshuara nga nëndetëse amerikane nga një distancë prej 650 kilometrash.
Trump falënderoi kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu, dhe ushtrinë izraelite për bashkëpunimin, duke deklaruar:
“Kurrë më parë nuk është vepruar si një skuadër kaq e koordinuar.”
Aipas Sekretarit të Jashtëm britanik David Lamyy, Baza ushtarake britanike në Diego Garcia nuk u përdor nga avionët ushtarakë amerikanë për të kryer misionet e tyre të bombardimit në Iran.
SHBA-të kanë kryer misione bombardimi nga ishulli në Oqeanin Indian në të kaluarën, por nuk e bënë këtë herë.
Sekretari i jashtëm i Mbretërisë së Bashkuar konfirmoi se nuk mori pjesë në sulmet amerikane ndaj lokacioneve bërthamore iraniane.





